Kompanitë e teknologjisë, në vështirësi për shkak të Dorëheqjes së Madhe –

by admin
Spread the love

Joy Nazzari, themeluesja e startup-it britanik për teknologjinë e pasurive të paluajtshme, Showhere, po përpiqet dëshpërimisht të punësojë 16 persona, duke përfshirë programues me eksperiencë, menaxherë projektesh dhe dizenjues. Por, mundësitë e saj të zgjedhjes nga kandidatët janë të pakta.

“Nuk ka qenë kurrë më e vështirë apo më e kushtueshme që të punësosh njerëz të rinj,” thotë ajo. “Përveҫ kësaj, duhet të mbrojmë edhe punonjësit aktualë që kemi, sepse ata po shohin mundësi të reja, duke u ndikuar nga LinkedIn dhe nga historitë e miqve të tyre që kanë përfituar paga të mëdha.”

Nazzari është një ndër shumë punëdhënësit të cilët e kanë pasur të vështirë të zëvendësojnë valën e punonjësve që u larguan gjatë Dorëheqjes së Madhe, e cila filloi vitin e kaluar dhe nuk ka përfunduar ende. Në SHBA, numri i punonjësve që po largohen nga puna ka tejkaluar nivelet e para-pandemisë për tetë muaj radhazi, sipas kompanisë së të dhënave Statista.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, situata është e ngjashme. Sanjay Raja, kryeekonomist për Mbretërinë e Bashkuar në Deutsche Bank, publikoi një raport në janar që zbuloi se njerëzit po japin dorëheqje në normat më të larta që nga viti 2009. Një numër i madh njerëzish po largohet tërësisht nga tregu i punës, ndërsa më shumë se 80 për qind nuk duan të kenë një punë – shifra më e lartë e regjistruar që nga viti 1993, sipas analizës së Rajas. Kjo ka krijuar boshllëqe në fuqinë punëtore.

Dorëheqja e Madhe ka zgjeruar hendekun midis ofertës dhe kërkesës për punonjësit e teknologjisë dhe ka bërë që punëdhënësit të përdorin stimuj të mëdhenj për të rekrutuar sa më shumë prej tyre. Vetëm në sektorin e IT, 31 përqind e punonjësve kërkuan në mënyrë aktive një punë të re në periudhën ndërmjet korrikut dhe shtatorit të vitit të kaluar. Kjo është shifra më e lartë nga të gjitha industritë e tjera, sipas analizës së Gartner. Ndërkohë, të dhënat nga kompania e trajnimit Global Knowledge zbuluan se 76 përqind e vendimmarrësve globalë të IT-së po përballen me boshllëqe kritike të ekspertizës në ekipet e tyre. Nëse ky problem llogaritet edhe për rolet e tjera në fushën e teknologjisë, është e qartë se mungesa e ekspertizës ka shumë mundësi të përkeqësohet, përpara se të përmirësohet.

Kompanitë po ofrojnë gjithnjë e më shumë benefite për të rekrutuar punonjës të rinj. Bizneset po eksperimentojnë me të gjitha llojet e masave të mirëqenies për të joshur stafin e ri: në janar, Pinterest shtoi përfitimet e fertilitetit dhe lejen prindërore; në dhjetor, kompania fintech Finder prezantoi pesë ditë shtesë leje vjetore të paguar; ndërsa On Purpose, një kompani konsulence për komunikimin, me bazë në Nju Delhi, duke filluar që nga shkurti ofron shtatë ditë pushim të paguara për adoptimin e kafshëve shtëpiake.

Për më tepër, kandidatëve u ofrohen para thjesht për t’u paraqitur në intervistat e punës. Deutsche Familienversicherung, një kompani e teknologjisë së sigurimeve me qendër në Frankfurt, thotë se ajo ofron 500 € për këdo që interviston, 1,000 € ekstra për ata që kalojnë në raundin e dytë dhe 5,000 € të tjera për ata që përfundojnë provën gjashtëmujore.

Nuk janë vetëm kompanitë e mëdha që po e bëjnë këtë – kompania jofitimprurëse e teknologjisë etike, Software Freedom Conservancy, e cila ka gjashtë persona në staf, i paguan finalistët e intervistave me nga 500 dollarë. Cactus Communications, një platformë publikimesh për komunitetin shkencor, ofron 5 për qind të kompensimit vjetor të një pozicioni si bonus mirëseardhjeje, ndërsa te kompania Nazzari Showhere, ky bonus është sa paga mujore, menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së punës.

“Një mirëseardhje e tillë është një vendim shumë i vështirë për t’u marrë, sepse punonjësit aktual thonë: ‘Hej, unë nuk mora ndonjë bonus të tillë kur erdha’”, thotë Nazzari. “Por të gjithë e kuptojnë se është një situatë e pazakontë dhe, që ne të vazhdojmë të rritemi, duhet të jemi më konkurrues.”

Bonuset e mirëseardhjes në Showhere nuk kanë qenë edhe aq efektive, sepse kandidatët po kërkojnë të maksimizojnë mundësitë për të marrë paga shumë më të larta në kompani të tjera, thotë Nazzari. Ajo tani po përdor një gamë më të gjerë taktikash, të tilla si ofrimi i pozicioneve senior për kandidatët që në intervistën e parë telefonike, apo ofrimi i mundësisë që punonjësit të zhvendosen ku të dëshirojnë. Më parë, rekrutimi i stafit nga jashtë shtetit dhe suporti i tyre në procesin e marrjes së vizave përbënte një shkak për shumë mosmarrëveshje, por tashmë është i pashmangshëm.

Edhe punëdhënësit e tjerë janë në situata të ngjashme. “Gjatë vitit të kaluar, nuk i kemi konsideruar më kriteret e vendndodhjes kur rekrutojmë,” shpjegon Ashmita Das, CEO e një platforme të pavarur për shkencëtarët, e quajtur Kolabtree, e cila ka një ekip me kohë të plotë prej 25 punonjësish. “Ne punësojmë atëherë kur kemi mundësi, ngado që të jetë kandidati. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për punonjësit që të kërkojnë alternativa të ndryshme, ose që duan të punojnë në një fushë tjetër.”

Pozicionet e punës në distancë në SHBA u dyfishuan nga 9 për qind në 18 për qind gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021, sipas agjencisë së shërbimit online të punës Ladders. Ato mund të arrijnë shifrën 25 për qind deri në vitin 2022.

“Që kur bëmë kalimin te puna në distancë, kemi qenë në gjendje për të zgjeruar mundësitë tona të punësimit në rang global dhe për të mos u kufizuar te një grup talentesh vetëm në një zonë të caktuar,” shpjegon Maureen Carroll, drejtore e punësimit të talenteve globale në kompaninë amerikane Vista, që është e specializuar në shërbimet dixhitale për bizneset e vogla dhe të mesme. Ky tranzicion ka sjellë një rritje prej 300 për qind në aplikimet për punë – kështu që ajo beson se kalimi në punën në distancë po sjell ndryshim.

Në raportet e publikuara për aksionerët në fillim të shkurtit, Amazon, PayPal, Intel dhe Pinterest pranuan se refuzimi i punës në distancë do t’u kushtojë atyre shtrenjtë në “luftën” për gjetjen e talenteve të reja, veçanërisht pasi Facebook, Twitter dhe Shopify e kanë bërë punën në distancë një normë. Në Japoni, ku puna në distancë nuk është bërë ende aq e zakonshme, Yahoo ka njoftuar se punonjësit mund të punojnë nga kudo brenda vendit dhe kompania do të paguajë për fluturimet e tyre nëse punonjësve do t’u nevojitet që të vijnë në zyrë ndonjëherë.

Teksa bizneset e teknologjisë mundohen të gjejnë zgjidhjen më të mirë mes punës në distancë dhe asaj hibride, ka pasur një rritje universale të pagave në përpjekjet për të rekrutuar staf të ri. Paga mesatare për pozicionet e teknologjisë në SHBA u rrit me pothuajse 7 për qind nga viti 2020 në vitin 2021, sipas një raporti nga tregu i karrierës në fushën e teknologjisë Dice, duke arritur një pagë mesatare prej 6,707 dollarë për punonjës në muaj.

Paga mesatare për një punonjës me eksperiencë në këtë industri ka shkuar në 104,566 dollarë në vit, ku zhvilluesit në web kanë pasur rritjen më të madhe pasi pagat e tyre vjetore patën një rritje vjetore prej 21.3 për qind, thuhet në raport.

Meike Jordan, shefja e burimeve njerëzore në platformën P2C (product-to-consumer) Productsup me qendër në Berlin, beson se nuk ka një zgjidhje të shpejtë për kompanitë që kanë një rrjedhje të talentit të tyre. “Tërheqja e kandidatëve nëpërmjet benefiteve në zyrë, si për shembull një fuçi birre në kuzhinë, apo politika e punës fleksibël nga shtëpia është një gjë e së shkuarës,” thotë ajo.

“Njerëzit janë të lodhur nga mbingarkesa në punë dhe pagat e ulëta, prandaj duan një punëdhënës që kujdeset për mirëqenien e tyre të përgjithshme dhe rrugën e tyre drejt suksesit.” / Wired

You may also like