Komisioni për Integrime Evropiane miratoi Projektligjet për tekste shkollore dhe për performancën energjetike të ndërtesave – Shqip

by admin
Spread the love

Pa vota nga opozita, Komisioni për Integrime Evropiane miratoi Projektligjin për tekste shkollore  dhe Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave.

Pavarësisht kërkesës së deputetit, Driton Hyseni nga radhët e pushtetit, nuk u votuan projektligjet nga opozita.

Deputeti Hyseni, bëri një lutje drejtuar opozitës për t’i votuar këto ligje.

“Të votojnë për këto ligje sepse e dërgojmë besimin e qytetarëve në nivele që ata presin”, tha ai.

Deputetja nga PDK, Blerta Deliu, tha se vendi duhet t’i hap rrugët për zgjedhje dhe nuk ka diçka që duhet të votojnë. Ajo përmendi raportin e DASh-it dhe Freedom House, ku flitet për korrupsion nga Qeveria.

“Kësaj qeverie i ka humbur kuptimi goditja e dy raporteve të DASh-it dhe Freedom House tregojnë se kjo qeveri ka probleme me gjyqësorin, cenim në institucione të drejtësisë. Ka zyrtarë që kanë qenë të zënë në fushata te shteti fqinjë. Konsideroj se vendi duhet të hap rrugë për zgjedhje të reja, nuk kemi çfarë të votojmë”, tha ajo.

Deputeti Hyseni, duke replikuar, tha se nuk e sheh të arsyeshme referimin e raporteve ndërkombëtare e të mos votohen ligjet që janë më shërbim të qytetarëve.

“Qeveria ka marrë hapa konkret dhe serioz në luftimin e korrupsionit. Nuk e shoh të arsyeshme të referoheni në ato raporte, ligjet që janë të rëndësishme për qytetarët duhet t’i votojmë. Kjo qeveri ka marrë hapa serioz. Nuk mund të jemi peng i raporteve ndërkombëtare që të mos votohen ligjet që janë më shërbim të qytetarëve. Ne e kemi privilegj t’i votojmë”, tha ai.

Ndërsa, deputetja nga AAK, Time Kadrijaj tha se ky komision nuk mund të kërkojë përkrahjen e opozitës kur nuk i merr seriozisht mbajtjet e mbledhjeve të Komisioneve.

“Nuk po e merrni me seriozitet shqyrtimin e projektligjeve, po shihet këtu. Nuk mund të kërkoni votë dhe përkrahjen e opozitës kur keni mungesë të seriozitetit,” tha Kadrijaj.

Ndërsa, Projektligjet u votuan nga pozita me 6 vota për, në mungesë të opozitës.

You may also like