KOMENT – Perëndimi mbetet skeptik edhe pse Putin premton fundin e luftës

by admin
Spread the love

ROMË, 12 mars /ATSH-ANSA/ – Ndërkohë që bombat ruse vazhdojnë të bien mbi Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin ngjall shpresën për fundin e luftës duke folur madje edhe për përparime në rrugën diplomatike, shkruan Alberto Zanconato në një koment për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA.

Por, Kievi e mohon këtë gjë, ndërkohë Perëndimi e thotë qartë se nuk beson te fjalët e kreut të Kremlinit duke kujtuar premtimet e tij të mëparshme se nuk do ta pushtonte vendin fqinj, vetëm disa orë para se trupat e Moskës të kalonin kufirin rus.

Pikërisht këtij vendimi fatal i referohen dy gazetarë të njohur investigativë rusë, Andrei Soldatov dhe Irina Borogan, sipas të cilëve Putin e bëri këtë veprim pasi kishte marrë nga shërbimet e tij sekrete informacione shumë optimiste për pushtimin e afërt.

Për këtë gjë, sipas asaj që raporton faqja disidente ”Meduza”, Putin dyshohet se ka urdhëruar arrestin shtëpiak të dy drejtuesve të shërbimeve sekrete, gjeneralit Beseda dhe zëvendësit të tij, në krye i Divizionit V të FSB-së, organi i shërbimeve i ngarkuar për të dhënë informacion mbi atë që prisnin trupat ruse përtej kufirit.

Tani, lideri rus flet për përparime diplomatike në bisedimet ruso-ukrainase që zhvillohen praktikisht çdo ditë.

“Siç më kanë njoftuar negociatorët tanë, ka pasur disa zhvillime pozitive”, këmbëngul ”cari” gjatë një takimi maratonë prej pesë orësh me më të besuarin e tij, presidentin bjellorus Alexander Lukashenko.

Tone shumë të ndryshme këto nga çka dominoi pas takimit të mbajtur një ditë më parë në  Antalia mes ministrave të Jashtëm rus dhe ukrainas, Lavrov dhe Kuleba.

I takon zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov për të shpjeguar se çfarë janë kushtet e vendosura për ukrainasit për t’i dhënë fund armiqësive, thënë ndryshe njohja e Krimesë si tokë ruse dhe fundi i avancimit të NATO-s drejt kufijve rusë.

”Kievi po e diskuton këtë SHBA-në dhe vendet e Bashkimit Evropian dhe, nëse këto kërkesa pranohen, atëherë gjithçka do të marrë fund”, thekson Peskov.

I menjëhershëm dhe shumë skeptik, reagimi i Perëndimit.

”Putin nuk po tregon shenja se po e merr seriozisht diplomacinë”, tha zëvendëspresidentja amerikan nga Bukureshti, Kamala Harris duke paralajmëruar se ”janë 2 000 ushtarë amerikanë gati për të mbrojtur NATO-n”.

Ndërsa nga Versaja, në fund të samitit të BE-së, edhe kryeministri italian, Mario Draghi thotë se është i bindur se ”lideri rus nuk e dëshiron këtë paqe” dhe se ”plani i tij duket të jetë një tjetër”.

Së fundmi, është vetë Ukraina ajo që mohon fjalët e kreut të Kremlinit.

”Bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës deri më tani kanë pasur zero progres”, thotë presidenti Volodymyr Zelensky, i cili, megjithatë, në një intervistë për ”Bloomberg” rithekson gatishmërinë e Kievit për kompromis, pranimin e një statusi ”neutral” të vendit, në këmbim të garancive mbi sigurinë.

Një mënyrë për të thënë se rruga e negociatave mbetet e hapur, edhe pse Putini e ka refuzuar deri më tani një takim të propozuar disa herë nga vetë Zelensky.

Edhe presidenti finlandez, Sauli Niinisto, në një intervistë i bëri thirrje kreut të shtetit rus të pranojë një takim ballë për ballë me presidentin ukrainas, me shpresën për një dialog të vërtetë.

Kina gjithashtu, duke thënë se është thellësisht e shqetësuar, thotë se duhen përpjekje maksimale për të ndihmuar Rusinë dhe Ukrainën që të vazhdojnë negociatat për një armëpushim.

Por, nga Kremlini, përtej deklaratave optimiste të Putinit, nuk ka shenja të vullnetit për një  takim me Zelenskyn.

Një takim i tillë, thotë Moska, duhet të përgatitet nga negociatorët e dy vendeve, përmes negociatat në Bjellorusi./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like