KOMENT – Lufta në Ukrainë dëmton ekonominë dhe nxit inflacionin në BE

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 15 korrik /ATSH-AA/ – Sipas parashikimeve të fundit ekonomike të bllokut, lufta e Rusisë në Ukrainë në të ardhmen pritet t’i shkaktojë dëme të mëdha zhvillimit ekonomik të Bashkimit Evropian si dhe të shkaktojë rritje më të ulët ekonomike dhe inflacion të lartë rekord.

Në eurozonë vlerësohet se inflacioni do të arrijë në 7,6 për qind këtë vit dhe do të ulet në katër për qind vitin e ardhshëm.

Në qershor, indeksi i çmimeve të konsumit në eurozonë u rrit me 8,6 për qind krahasuar me një vit më parë.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon të hedhë një hije të rëndë mbi Evropën dhe ekonominë tonë”, thotë zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis.

Lufta çoi në rritje të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, të cilat sjellin norma të larta inflacioni dhe rëndojnë rritjen ekonomike dhe besimin e konsumatorëve.

Gjithnjë e më e madhe është frika se kriza energjetike mund të përkeqësohet nëse Rusia shkurton më tej furnizimet me gaz natyror ose mbyll rubinetat, ndërsa vendet evropiane kërkojnë të rimbushin rezervat e tyre përpara dimrit.

”Rreziqet për parashikimin e aktivitetit ekonomik dhe inflacionit varen në masë të madhe nga zhvillimi i luftës, veçanërisht nga implikimet e saj për furnizimin me gaz në Evropë”, thuhet në deklaratën e Komisionit Evropian.

Për t’i bërë gjërat edhe më të vështira, rritja e fundit e rasteve me koronavirusin COVID-19 po shkakton vështirësi të reja.

”Nuk përjashtohet mundësia që një pandemi e re në BE të sjellë tronditje të reja në ekonomi”, thuhet në njoftim.

Energjia përbën një sfidë të madhe për BE-në, e cila prej vitesh është mbështetur shumë në naftën, gazin natyror dhe qymyrin rus për makinat, fabrikat, sistemet e ngrohjes dhe termocentralet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen konfirmoi se blloku po punon për një plan për zgjidhjen e krizës energjetike, i cili do të publikohet në mes të korrikut./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like