KOMENT – Komuniteti Politik Evropian takohet nën hijen e luftës në Ukrainë

by admin
Spread the love

PRAGË, 6 tetor /ATSH-DPA/- Mbi 40 liderë në të gjithë Evropën po marrin pjesë sot në takimin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian, në Pragë, në kuadër të pushtimit rus të Ukrainës.

“Sulmi rus në Ukrainë është një shkelje brutale e rendit të sigurisë dhe paqes. Është e rëndësishme që ne ta refuzojmë këtë sulm, që të mos pranojmë aneksimin e rajoneve ukrainase”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Nëse shikoni pjesëmarrjen këtu, do të kuptoni rëndësinë. I gjithë kontinenti evropian është këtu me përjashtim të dy vendeve, Bjellorusisë dhe Rusisë. Pra, kjo tregon sesa të izoluara janë këto dy vende”, tha kryeministri belg, Alexander De Croo.

Udhëheqës të tjerë deklaruan se takimi demonstroi një unitet dhe solidaritet me Ukrainën.

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal po merr pjesë personalisht në forum, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky iu drejtua udhëheqësve përmes nje lidhje me video në fillim të takimit.

Pushtimi rus i Ukrainës dhe ndikimet e tij në Evropë ka të ngjarë të lënë në hije bisedimet e planifikuara për sigurinë dhe paqen, si dhe ndryshimet klimatike, krizën energjetike dhe ekonominë.

Forumi ofron gjithashtu mundësi për takime dypalëshe.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha në Twitter se ai dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të bashkoheshin në një takim sot pasdite me presidentin e Azerbajxhanit dhe kryeministrin e Armenisë për të avancuar me diskutimet për paqen e qëndrueshme në rajon.

Macron shihet si nxitësi kryesor i Komunitetit Politik Evropian, i cili synon të përmirësojë bashkëpunimin midis vendeve evropiane përtej kufijve të Bashkimit Evropian, si Britania e Madhe, Turqia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rajonit të Kaukazit.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like