KOMENT – ENR del zyrtarisht në tregun mediatik evropian, ATSH pjesë e projektit

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 7 shtator /ATSH/ – Redaksia e përbashkët e 16 agjencive evropiane të lajmeve, European News Room (ENR), ku Agjencia Telegrafike Shqiptare bën pjesë me të drejta të plota, njoftoi daljen zyrtare mediatike në tregun evropian të lajmeve me një ceremoni të organizuar në Bruksel, pjesë e së cilës ishin edhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, i cili mban edhe postin e eurokomisionerit për Promovimin e Mënyrës Evropiane të Jetesës, dhe Vera Jurova, eurokomisionere për Vlerat dhe Transparencën, njëkohësisht edhe zëvendëspresidente e KE-së.

Të gjitha bashkëbiseduesit ranë dakord se vendosja e standardeve më të larta gazetareske, informacioni i saktë, lufta kundër fake news dhe bashkëpunimi mes agjencive përbën themelin e ENR-së.

”Raportimi për problemet evropiane përbën një sfidë, sidomos kur mendojmë se shumica e agjencive janë larg selive evropiane të Brukselit”, theksoi në këtë ceremoni Patrick Lacroix.

”Qëllimi ynë më i madh është paanshmëria dhe objektiviteti duke iu përmbajtur fakteve në interes të të gjithë opinionit publik”, shtoi ai.

Drejtori i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, Peter Kropsch deklaroi se ”e rëndësishme për agjencitë e lajmeve të vendeve anëtare dhe kandidate është ofrimi i një gazetarie të pavarur si edhe lufta kundër lajmeve të rreme”.

”Një nga qëllimet e ENR-së është që t’u mundësohet agjencive më të vogla, të cilat nuk kanë buxhete të mëdha, që të kenë qasje të barabartë në informacionin panevropian, njësoj si edhe agjencitë më të mëdha dhe më të mirëfinancuara”, theksoi ai.

”Ky projekt, i cili zgjat dy vjet, mundëson katër lloje të partneriteteve ndërmjet agjencive të përfshira, dhe një prej tyre është partneriteti solidar në të cilin është përfshirë edhe agjencia ukrainase e lajmeve, Ukrinform”, shtoi Kropsch.

”Ne kemi rënë dakord që t’u jepet mbështetje gazetarëve në një vend që aktualisht po përballet me një krizë të madhe për shkak të agresionit rus”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, Vera Jurova, eurokomisionere për Vlerat dhe Transparencën, theksoi se ”më shumë se kurrë na duhen lajmet evropiane, sepse sfidat me të cilat përballemi shkojnë përtej një vendi të vetëm”.

”Lufta aktuale e nisur nga Rusia kundër Ukrainës, rritja e çmimeve të energjisë ose ndryshimet klimatike janë probleme që nuk njohin kufij dhe për një pamje të plotë lexuesit kanë nevojë për një dimension ndërkufitar”, shtoi Jurova duke theksuar rëndësinë e informacionit të saktë, të besueshëm dhe të bazuar në fakte.

”Shpresoj se ky projekt do të kontribuojë në luftën kundër dezinformimit. Javën e ardhshme Këshilli Evropian do të diskutojë një projektligj për lirinë e shtypit, i cili duhet t’i lejojë KE-së të sigurojë mjete për të luftuar presionet mbi mjetet e komunikimit masiv si  kërcënime fizike, proceset abuzive, presione politike apo ekonomike”, theksoi ajo.

”Është koha për të vepruar. Asnjë gazetar nuk duhet të dënohet për shkak të profesionit të tij. Media nuk duhet të shndërrohet në mjet propagande”, shtoi Jurova.

”KE-ja edhe më tej do të vazhdojë të mbështesë projekte të tilla, pasi për fat të keq është vërejtur një përkeqësim i gjendjes së medias në shumë vende evropiane. Në kohën e krizës së Covid-19 kuptuam se na nevojiten media të forta për të ruajtur demokracinë. Nuk mund të kemi media cilësore pa mbrojtur gazetarët nga presioni politik, ekonomik dhe çdo lloj presioni tjetër”, theksoi Jurova.

Më 7 korrik, ATSH filloi transmetimin e lajmeve në ENR.

Agjencia gjermane e lajmeve, DPA dhe ajo franceze, AFP janë drejtuese të projektit, ndërsa marrin pjesë edhe agjencitë e tjera europiane dhe rajonale si ajo italiane ANSA, austriake APA, belge Belga, bullgare BTA, spanjolle EFE, Europa Press, rumune AGERPRESS, boshnjake FENA, kroate HINA, maqedonase MIA, sllovene STA, serbe TANJUG, sllovake TASR.

Projekti financohet nga një grant i Komisionit Evropian me vlerë 1,76 milionë euro.

Lajmet publikohen nga çdo agjenci në gjuhën amtare përkatëse çdo të hënë dhe të enjte.

Një herë në javë, ENR zgjedh një temë evropiane në të cilën agjencitë japin kontributin e tyre dhe kjo temë publikohet në anglisht.

/ a.jor.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like