KOMENT – BE fton liderët serbë dhe kosovarë për bisedime pas tensioneve të fundit

by admin
Spread the love

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ – BE-ja ka thirrur liderët serbë dhe kosovarë në Bruksel për të diskutuar krizën në veri, pasi tensionet e ngritura shkaktuan frikën e dhunës midis dy vendeve, sipas “The Guardian”.

Udhëheqësit e BE-së tashmë kanë ndërhyrë në disa raste gjatë javëve të fundit për të tentuar shmangien e përshkallëzimit të situatës, por, pas arrestimit të policëve kosovarë nga Serbia në fillim të kësaj jave, ata kanë bërë thirrje për bisedime ballë për ballë.

“Në kuadër të përshkallëzimit të vazhdueshëm dhe mungesës së hapave kuptimplotë drejt këtij koalicioni, ne i ftuam të dy liderët nga Serbia dhe Kosova që të vijnë në Bruksel javën e ardhshme për një takim”, tha një zëdhënës i Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Komisionit Evropian për Politikë e Jashtme të BE-së.

“Ftesa i është bërë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç”, shtoi ai.

Tensionet u rritën muajin e kaluar midis vendeve pas vendimit të Prishtinës për të vendosur kryetarë komunash shqiptarë etnikë në katër komuna me shumicë serbe.

Ata u lejuan të merrnin detyrën pavarësisht një pjesëmarrjeje të ulët prej 3,5% në zgjedhjet që u bojkotuan nga shumica serbe në rajon.

Dy javë më parë, liderët francezë dhe gjermanë Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz i kërkuan Kosovës që të zhvillojë zgjedhje të reja për të ndalur krizën, pas një përplasjeje midis liderëve të dy vendeve në një samit politik, në Moldavi.

Shqetësimet për tensionet u rritën këtë javë kur tre policë kosovarë u arrestuan pranë kufirit me Serbinë.

Kurti akuzoi Serbinë se po përpiqej të hakmerrej për arrestimin e një serbi, i cili dyshohet se organizoi dhunën që plagosi më shumë se 20 trupa, gazetarë dhe policë të NATO-s, më 29 maj.

Serbia mohoi pretendimin e Kosovës se oficerët ishin “rrëmbyer”, duke thënë se ata u kapën në Serbi.

“Jemi në dijeni të arrestimit të policëve të Kosovës, nga autoritetet serbe. Ne jemi në kontakt me të dyja palët dhe KFOR-in, forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, për të zbuluar saktësisht se çfarë ndodhi dhe si ndodhi. Është shumë e rëndësishme të kemi sqarime se çfarë ka ndodhur”, tha zëdhënësi i Borrell.

“Deri atëherë, ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të mos ndërmarrin më veprime apo hapa që mund të nxisin më tej situatën tashmë të tensionuar”, shtoi ai.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi dhe aleatët e tij Pekini dhe Moska kanë refuzuar ta njohin atë, duke e penguar në mënyrë efektive Kosovën që të ketë një vend në OKB. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like