KIPRED: Mediet ruse në ballë të operacioneve informative malinje kundër Kosovës

by admin
Spread the love

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) ka prezantuar punimin “Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformatat Mediale, 1 nëntor 2021 – 15 janar 2022”.

“Observeri” është një raport tremujor që synon t’i analizojë deklaratat publike dhe publikimet të establishmentit të politikës së jashtme të Rusisë, dhe veçoritë e lajmeve që përmbajnë dezinformata dhe keqinformim që kanë për shënjestër Kosovën, të publikuara nga mediet ruse në gjuhën angleze dhe serbe.

Ky punim vë në pah se një zhvillim i rëndësishëm në luftën diplomatike ruse kundër Perëndimit dhe Kosovës që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe është ndryshimi e narrativave në prag të sulmit të Putinit kundër Ukrainës. Në dy deklarata të tij, të dhëna më 13 dhe 14 janar 2022, ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, i krahasoi rajonet separatiste të Ukrainës të dominuara nga rusët, të Donetskut dhe të Luganskut, me pjesën veriore të Kosovës të dominuar nga serbët, si dhe Marrëveshjen e Minskut me atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, nga aspekti i të drejtave të popullatave ruse dhe serbe në këto dy territore përkatëse.

Për më tepër, për “mungesën e implementimit”, Lavrovi e fajësonte “impotencën” e Bashkimit Evropian për ta shtyrë Kievin dhe Prishtinën për t’i respektuar këto dy marrëveshje përkatëse.

Sulmet kundër Perëndimit në Kosovë ishin të përqendruara në veçanti në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, në Kryesuesin e Misionit të OSBE-së në Kosovë – Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Michael Davenport, dhe në inteligjencën britanike, për komplotim kundër komunitetit serb në Kosovë, përmes përkrahjes së intervenimit të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, që ishte pjesë e operacionit kundër krimit të organizuar që ndodhi në tërë Kosovën, më 13 tetor 2021, si dhe për “përkrahjen” e vendimit të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës për të mos e lejuar mbajtjen në territorin e Kosovës të referendumit për ndryshimet kushtetuese në Serbi.

Nga ana tjetër, Kremlini i ka dhënë disa deklarata të shkurtra hyrëse të takimit midis Presidentit Rus Vladimir Putin dhe Presidentit Serb Aleksandar Vuçiq që u mbajt më 25 nëntor 2021 në Sochi, edhe përkundrejt faktit që vetë takimi zgjati rreth tri orë.

Për më tepër, sipas TV Pink serbe, të cituar nga Radio Free Europe, Vuçiqi e lëshoi takimin duke qenë krenar për bashkëpunimin ushtarako-teknik me Rusinë, dhe ai lutej për arritjen e shpejtë në Serbi të armatimeve të caktuara taktike, duke cituar në veçanti armët anti-tanke. Dhe, më interesantja, Vuçiqi e theksoi urgjencën e marrjes së këtyre armëve ruse sepse, sipas tij “do të ketë gjëra të tjera të mëdha të një interesi strategjik për Serbinë në një të ardhme, dhe atë në një të ardhme jo shumë të largët,” ku ai shtoi “kështu që, gjërat e para do t’i kemi para fundit të vitit në Serbi.

Duke i pasur parasysh këto deklarata të Vuçiqit, është pothuaj evidente që në takim me Presidentin Putin ata e kanë diskutuar grumbullimin vijues ushtarak rus në kufirin me Ukrainën, si dhe koordinimin e mundshëm ruso–serb në synimet e tyre në Ballkanin Perëndimor në dritën e sulmit të ardhshëm të Putinit kundër Ukrainës. Në këtë aspekt, krahasimi i rajoneve separatiste të Donetskut dhe të Luganskut me pjesën veriore të Kosovës nga Ministri Lavrov, mbetet një çështje e shqetësimit lidhur me koordinimin e mundshëm të veprimeve serbe dhe ruse në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Në këtë sfond, krahasimet absurde të Kosovës dhe të intervenimit të NATO-s me Krimenë dhe me rajonet separatiste të Donetskut dhe të Luganskut të Ukrainës, si dhe ato të kaluarat me Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Gjeorgji, të shfrytëzuara nga regjimi i Putinit, nuk lënë vend për dyshim se janë duke u ndjekur për t’i justifikuar agresionet dhe politikat hegjemoniste në “fqinjësinë të afërt” të Rusisë, e të cilat janë të zhveshura nga normat më themelore të respektimit të të drejtave njerëzore dhe të të drejtës ndërkombëtare.

Së fundi, analizat e diskurseve të lajmeve që përmbajnë dezinformime dhe keqinformime malinje (79) të medieve të përzgjedhura, të cilat janë një dorë e zgjatur e Moskës, tregojnë se, në përgjithësi, ato i përcjellin narrativat e establishmentit të politikës së jashtme të Rusisë, dhe se Sputnik Serbia, Sputnik International, Russia Today dhe TASS-i mbeten në ballë të këtyre operacioneve informative malinje kundër Kosovës.

You may also like