Kievi përgatitet për rezistencë, Rusia godet kaldajat dhe sistemet e ngrohjes qendrore

by admin
Spread the love

Të paktën 8 civilë, mes të cilëve 2 fëmijë, u vranë nga një sulm ajror i ushtrisë ruse në Izium, qytet në provincën lindore Harkov të Ukrainës.

Nënkryetari i Bashkisë së Iziumit, Volodymyr Matsokin, njoftoi përmes një deklarate nga llogaria e tij në rrjetin social “Facebook” se në qytet ka ndodhur një shkatërrim i madh për shkak të sulmit ajror të forcave ruse.

Volodymyr Matsokin theksoi se 8 civilë humbën jetën në këto sulme, mes tyre edhe 2 fëmijë.

Kurse në një deklaratë me shkrim të Zyrës së Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) u publikuan të dhënat për viktimat civile duke filluar nga ora 04:00 e datës 24 shkurt, kur filloi sulmi rus ndaj Ukrainës, e deri në orën 12:00 të mesnatës së 1 marsit.

Sipas OHCHRS-së, në këtë luftë kanë humbur jetën gjithsej 227 civilë: 31 burra, 25 gra, 6 djem, 3 vajza, 6 fëmijë e 156 të rritur, gjinia e të cilëve ende nuk dihet; si dhe janë plagosur 525 civilë.

Ndërkohë, Shërbimi i Urgjencës së Ukrainës raportoi se në rezervuarët e karburantit në Çernigov ka rënë zjarr pasi janë goditur nga ushtria ruse.

Sipas tij, pjesa e rezervuarit me 5.000 m3 naftë është djegur dhe po punohet për shuarjen e zjarrit në pjesën tjetër.

Anijet luftarake dhe zbarkuese të marinës ruse vazhdojnë të presin në afërsi të brigjeve të Krimesë.

Në Ukrainë, ku tashmë sulmet ruse kanë lënë pas një javë, kryeqyteti Kiev po përgatitet për rezistencë.

Shumë zona të qytetit janë fortifikuar me barrikada dhe kanë marrë masa kundër hyrjes së ushtarëve dhe tankeve ruse. Në disa rrugë u hapën llogore dhe disa ura u nxorën jashtë përdorimit.

Bëhet e ditur se autokolonat ushtarake ruse po përparojnë drejt kryeqytetit prej disa ditësh.

Menjëherë pas sirenave mbrëmë, në kryeqytet është dëgjuar një zhurmë e madhe shpërthimi.

Anton Gerashchenko, ministër i Punëve të Brendshme të Ukrainës, njoftoi se Rusia kishte goditur kaldajat dhe sistemet e ngrohjes qendrore në Kiev.

Bëhet e ditur se mijëra njerëz janë evakuuar nga rajoni dhe se disa pjesë të Kievit nuk mund të ngrohen.

Me të dëgjuar se forcat ruse po i afrohen kryeqytetit, banorët e Kievit u larguan nga shtëpitë e tyre që në orët e para të ditës dhe u strehuan në vende që konsiderohen të sigurta.

Disa njerëz shkuan në garazhe e vendparkime të nëndheshme, të tjerë në stacione metroje.

Të mërkurën, raketat ruse goditën kullën televizive në kryeqytetin ukrainas.

Në Lviv, qytet i rëndësishëm rreth 70 km larg kufirit me Poloninë, vullnetarët që duan të ndihmojnë ushtrinë pas sulmit të Rusisë, dërgojnë nëpër barrikada një lloj pengese tankesh të quajtur “iriq”, të cilën ata e prodhojnë duke salduar hekurishte të mbledhura gjetkë.

Zëdhënësi i skuadrës vullnetare, që formohet nga fotografë, skulptorë, inxhinierë, kuzhinierë dhe njerëz të profesioneve të ndryshme, vuri në pah se do të vazhdojnë të bëjnë më të mirën e mundshme për pavarësinë dhe lirinë e Ukrainës.

Vlen të kujtojmë se trupat ruse filluan një ofensivë në Ukrainë më 24 shkurt.

You may also like