KIEV – Zelensky: Rusia shkeli sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës

by admin
Spread the love

BERLIN, 22 shkurt /ATSH-UKRINFORM/ – Me vendimet e saj për të njohur pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut, Rusia po shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe po legalizon trupat e saj në Donbas, të cilat janë atje që nga viti 2014, deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ukraina pa mëdyshje i cilëson veprimet e fundit të Federatës Ruse si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë. E gjithë përgjegjësia për pasojat e këtyre vendimeve i takon udhëheqjes politike ruse”, tha Zelensky.

”Për më tepër, njohja e pavarësisë së rajoneve të pushtuara të Donetskut dhe Luhanskut mund të nënkuptojë tërheqjen e njëanshme të Rusisë nga marrëveshjet e Minskut. Ky akt shkel përpjekjet paqësore dhe shkatërron formatet ekzistuese të negociatave. Me vendimet e mundshme të së sotmes dhe të nesërmes, Rusia po legalizon trupat e saj, të cilat në fakt ndodhen në zonat e pushtuara të Donbasit që nga viti 2014”, theksoi Zelensky.

Zelensky tha se ai diskutoi situatën me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin amerikan Joseph Biden, kryeministrin britanik Boris Johnson dhe presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, dhe se ka planifikuar një bisedë telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës u ka dërguar një kërkesë shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për konsultime të menjëhershme./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like