KIEV – Morawiecki, Fiala dhe Jansa: Solidaritet i plotë me Ukrainën

by admin
Spread the love

KIEV, 16 mars /ATSH-DPA/ – Kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë siguruan presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre, gjatë një vizite në Kiev.

“Këtu, në Kievin e shkatërruar nga lufta, shkruhet historia. Këtu liria lufton kundër botës së tiranisë. Këtu varet e ardhmja e të gjithëve ne’’, shkroi në Twitter kryeministri polak Mateusz Morawiecki.

Zëvendëskryeministri polak Jaroslaw Kaczynski mbështeti një mision paqeruajtës ndërkombëtar të aftë për t’u vetëmbrojtur.

Kryeministri çek Petr Fiala vlerësoi “luftën e guximshme” të Ukrainës gjatë takimit.

‘’Ju po luftoni për jetën, vendin dhe lirinë tuaj. Ne e dimë se ju po luftoni edhe për jetën tonë. Ju nuk jeni vetëm”, shkroi ai në Twitter.

Kryeministri slloven Janez Jansa tha se diskutimet mbi vlerat evropiane gjatë dy viteve të fundit kanë qenë kryesisht teorike.

“Befas, ne kuptuam se ato vlera thelbësore evropiane ekzistojnë vërtet. Dhe se ato janë të kërcënuara, ndërsa ukrainasit po i mbrojnë ato me jetën e tyre”, shkroi ai në Twitter.

Zelensky e përshkroi vizitën si një hap të madh dhe të guximshëm.

‘’Në një kohë kur shumë ambasada të huaja u larguan për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, këta liderë të shteteve të pavarura evropiane treguan se nuk kanë frikë’’, theksoi ai./    /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like