KIEV, 13 shtator /ATSH-DPA/- Trupat ukrainase kanë rimarrë më shumë se 20 qytete dhe fshatra në Ukrainën lindore vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa kundërofensiva e tyre e shpejtë vazhdon ende, njoftoi Kievi.
“Çlirimi i vendbanimeve nën pushtimin rus në rajonet e Kharkivit dhe Donetskut vazhdon ende”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në një raport, duke shtuar se qytetet më të fundit të braktisura nga trupat ruse ishin Velykyi Burluk dhe Dvorichna në veri të rajonit të Kharkivit.
Nën presionin e kundërofensives ukrainase, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi tërheqjen e trupave të saj nga rajoni i Kharkiv në fundjavë, duke pretenduar se ishte pjesë e një “rigrupimi” strategjik.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kishte njoftuar më herët rimarrjen e qytetit të rëndësishëm strategjik të Izyum.
Sipas shtabit të përgjithshëm, trupat ruse ishin tërhequr gjithashtu nga qyteti Svatove në rajonin e Luhanskut, megjithëse milicitë e lidhura me separatistët, në zonë mbeten në veprim.
“Përballë avancimit të Ukrainës, Rusia mund të ketë urdhëruar tërheqjen e trupave të saj nga rajoni i pushtuar i Kharkivit në perëndim të lumit Oskil”, tha shërbimi sekret britanik në një përditësim.//a.i/