KIEV – Bisedimet Ukrainë-Rusi, hapa pozitivë për përmirësimin e korridoreve humanitare

by admin
Spread the love

KIEV, 7 mars /ATSH-UKRINFORM/- Gjatë raundit të tretë të bisedimeve me delegacionin rus, delegacioni ukrainas arriti rezultate pozitive në kuadrin e logjistikës së korridoreve humanitare, njoftoi sot në Twitter këshilltari i kreut të zyrës së presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak.

“Rundi i tretë i bisedimeve ka përfunduar. Kemi arritur disa rezultate pozitive përsa i përket logjistikës së korridoreve humanitare. Ato do të ndryshohen dhe do të ofrojnë një ndihmë më efektive për njerëzit që aktualisht po vuajnë nga agresioni i Federatës Ruse”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Podoliak tha se nuk ishte arritur asnjë rezultat gjatë raundit të tretë të bisedimeve, të cilat do të përmirësonin ndjeshëm armëpushimin dhe ndërprerjen e armiqësive. Megjithatë, sipas tij, konsultimet do të vazhdojnë dhe do të kenë rezultate.

Më 28 shkurt, delegacionet ukrainase dhe ruse zhvilluan raundin e parë të bisedimeve në Bjellorusi dhe udhëtuan në kryeqytetet e tyre për t’u konsultuar për vendime të mëtejshme. Sipas Podoliak, negociatat mes delegacioneve kanë qenë të vështira, por pa ndonjë ultimatum të detyrueshëm.

Më 3 mars, delegacionet ukrainase dhe ruse zhvilluan raundin e dytë të bisedimeve.

Sipas Podoliak, delegacioni ukrainas nuk arriti rezultatet që priste gjatë bisedimeve me delegacionin rus. Në të njëjtën kohë, palët ranë dakord që së bashku të siguronin korridore humanitare për evakuimin e civilëve, si dhe për dërgimin e ilaçeve dhe ushqimeve në vendet e luftimeve më të ashpra me mundësinë e një armëpushimi të përkohshëm për periudhën e evakuimit.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like