KGJK zgjedh gjyqtarin Valon Totajn, kryetar të Gjykatës së Apelit

by admin
Spread the love

Prishtinë- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 286-të, të mbajtur të enjten, ka zgjedhur gjyqtarin Valon Totaj, kryetar të Gjykatës së Apelit.

Totaj në këtë pozitë u zgjodh pasi mori votat
e gjashtë anëtarëve të Këshillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mandati i gjyqtarit Totaj në pozitën e
kryetarit të Apelit fillon nga 5 maji 2022 dhe është pesëvjeçar.

Ndryshe, Komisioni Vlerësues ka rekomanduar
për votim në Këshill edhe kandidatët Bashkim Hyseni, Zyhdi Haziri, Nehat Idrizi
dhe Hashim Qollaku, mirëpo të njëjtit nuk arritën të marrin votat e mjaftushme
në Këshill për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Gjyqtarët Hyseni, Qollaku dhe Idrizi morën nga
një votë nga anëtarët e Këshillit.

Kandidat për kryetar të Gjykatës së Apelit ka
qenë edhe gjyqtari Kreshnik Radoniqi, tani edhe kryesues i  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),
mirëpo i njëjti është tërhequr nga kjo garë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit
(AKK) për të njëjtin ka konstatuar se zgjedhja eventuale  e tij në pozitën e kryetarit të Apelit duke
qenë edhe kryesues i KQZ-së, përbën konflikt të interesit.

Komisioni Vlerësues me përbërje të anëtarëve
Vilard Bytyqi,  Avni Mehmeti dhe Fahret
Velija, më 4 prill 2022 ka intervistuar kandidatët, Hashim Çollaku, Nehat
Idrizi, Zyhdi Haziri, Valon Totaj dhe Bashkim Hyseni, gjyqtarë këta që i kanë
hyrë garës për pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit, sipas konkursit të
shpallur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kujtojmë se KGJK më 28 qershor 2021 kishte shpallur konkursin
për pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Kryetari
i sapozgjedhur i Apelit, Valon Totaj, që nga 20 shkurti i vitit 2018 ushtron
funksionin e gjykatësit në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Civil të
Gjykatës së Apelit.

Gjatë viteve 2013-2018 ka punuar si gjykatës në Gjykatën Themelore në Prizren./BetimipërDrejtësi

You may also like