Kërcënoi botën me luftë bërthamore, jeta sekrete e ministrit më besnik të Putinit

by admin
Spread the love

Një ditë më parë, lëshoi paralajmërime të tmerrshme për Luftën e Tretë bërthamore, duke kërcënuar botën dhe NATO-n. Por kush është ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, besnik i presidentit Putin?

I ashpër dhe sarkastik, ai është bërë një figurë famëkeqe, javët e fundit, gjatë pushtimit të Ukrainës. Lavrov i ka përcjellë botës mesazhet e Presidentit të tij me një stil brutal që rrallëherë lidhet me një negociator, ai është shumë më tepër se thjesht zëdhënësi i Putinit.

Daily Mail ka analizuar biografinë e karrierës diplomatike të 71-vjeçarit, si edhe jetën e tij personale dhe pasurinë.

Sergei Lavrov ka jetuar dhe ka punuar gjatë Luftës së Ftohtë dhe rënies së Bashkimit Sovjetik, duke parë sesi marrëdhëniet e vendit të tij me Perëndimin, shkuan nga gati miqësore në prag të luftës bërthamore. Ashtu si shumë zyrtarë dhe oligarkë të lartë rusë, Lavrov u bë objektivi i sanksioneve personale të zbatuara nga BE-ja, kur marrëdhëniet ranë në një nivel të ri pasi tanket ruse kaluan kufirin ukrainas.

Ai mendohet se zotëron prona dhe asete të tjera në vlerë prej qindra milionë dollarësh, dhe një raport i botuar vitin e kaluar zbuloi se diplomati numër 1 i Rusisë, ka financuar edhe karrierën e jetën personale të një zonje sekrete dhe miqve e familjes së saj.

Lavrov ka tejkaluar për vite me radhë valët e pafundme të spekulimeve se ai ishte në prag të daljes në pension, duke u bërë një nga anëtarët më jetëgjatë të kabinetit të Putinit. Diplomati u bë ministër i Jashtëm i Rusisë në vitin 2004, duke e bërë kohëzgjatjen e mandatit të tij në pozicionin e dytë pas atij të Dr. No, ministrit famëkeq të Jashtëm sovjetik Andrei Gromyko, dhe para kësaj shërbeu si kryeambasador i Rusisë në OKB për 10 vjet.

I lindur në Moskë nga një nënë ruse dhe baba armen në vitin 1950, ai filloi karrierën e tij diplomatike në vitin 1972, pasi u diplomua në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (MGIMO), kur u dërgua për të shërbyer si këshilltar i ulët sovjetik në Sri Lanka.

Por Lavrov shkëlqeu dhe në vitin 1981 kur ishte bërë këshilltar i lartë në misionin sovjetik në OKB në Nju-Jork, gjatë një prej periudhave më intensive të Luftës së Ftohtë.

Një Lavrov më i ri ishte një personazh shumë më pak serioz, ai ishte një nga entuziastët më të mprehtë të dramatikës amatore të MGIMO, duke interpretuar në shfaqje dhe skica të ndryshme të bëra nga universiteti dhe ishte i njohur për dëshirën e tij për të biseduar me gazetarët dhe për të bërë humor me kolegë diplomatë, gjatë kohës së tij si ambasador i OKB-së.

Por ato ditë tashmë kanë ikur. Që kur u bë ministër i Jashtëm, sjellja e Lavrov është ngurtësuar vazhdimisht dhe ai tani pikturon tablonë e një njeriu të padurueshëm dhe nervoz që nuk i pëlqen më puna e tij. Vitet e fundit, vërejtjet e tij drejtuar homologëve të huaj, kanë qenë tallëse dhe të mbushura me agresion, dhe ai ka krijuar reputacionin e një qëndrimi të zemëruar në qeveritë perëndimore.

Ashtu si shefi i tij, Lavrov ka shfrytëzuar nostalgjinë e gjerë të publikut për ndikimin e vendit të epokës sovjetike dhe shpesh e ka përshkruar SHBA-në si arrogante, mendjemadhe dhe të prirur ndaj dominimit botëror, ndërsa ka hedhur poshtë Mbretërinë e Bashkuar dhe liderët evropianë si njerëz të bindur që ndjekin linjën e Uashingtonit.

Dhe në moshën 71-vjeçare, Lavrov duket dukshëm i mërzitur nga rutina e përditshme e diplomacisë. Ai nuk shqetësohet më të fshehë acarimin e tij për një pyetje naive ose provokuese kur ulet para mediave, shpesh duke u përgjigjur me përbuzje ose tallje, dhe ushqen një neveri të veçantë për fotografët, duke shfaqur qartë bezdi prej tyre.

Sergey Lavrov me gruan dhe vajzën e tij

Jashtë diplomacisë, Lavrov ka ndjekur shembullin e shefit të tij dhe ka bërë përpjekje të mëdha për të mbajtur private jetën e tij personale. Por kryediplomati rus është përfshirë në një polemikë rreth një gruaje që besohet të jetë e dashura e tij prej shumë kohësh, Svetlana Polyakova.

Një raport i botuar vitin e kaluar nga botimi antikorrupsion i Stories dhe faqja zyrtare e kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, pretendonte se Lavrov, i cili është i martuar që nga viti 1971 me një fëmijë dhe nipër e mbesa, e mori Polyakovën jashtë shtetit më shumë se 60 herë në “udhëtime diplomatike”, misione dhe financoi stilin e saj të jetesës luksoze.

Polyakova, e cila ka mbajtur një pozicion në Ministrinë e Jashtme ruse që nga viti 2014, ka udhëtuar me Lavrov në Francë, Itali, Zvicër, Japoni, Singapor, Portugali, Azerbajxhan dhe Greqi dhe ka përdorur shpesh avionin e ministrisë së Jashtme, në tetë vitet e fundit.

Disa nga udhëtimet përfshinin pushime luksoze dhe vizita në shtëpi dhe jahte luksoze, mes tyre një anije në pronësi të oligarkut Oleg Deripaska, në disa raste, iu bashkuan nëna, vajzat dhe mbesa e Polyakovës.

E dashura e Lavrov ka krijuar gjithashtu emërime të larta për miqtë dhe familjen brenda Ministrisë së Jashtme. Është shfaqur publikisht përkrah Presidentit Vladimir Putin dhe është emëruar në shoqërinë elitare të tij. Raporti zbuloi se Polyakova ishte aq e afërt me ministrin e Jashtëm, saqë informacioni i saj shpesh renditej si “Svetlana Lavrova” me disa zyrtarë qeveritarë që besonin se ajo ishte gruaja e Lavrov.

Hetimi zbuloi gjithashtu pasurinë e jashtëzakonshme dhe pronat familjare të Polyakovës në Rusi dhe në Mbretërinë e Bashkuar me vlerë 13.6 miliardë dollarë. Zonja zotëron gjithashtu 545 000 dollarë në makina luksoze, duke përfshirë një Mercedes me vlerë rreth 250 000 dollarë. Edhe pse kjo ka të ngjarë të jetë një shumë e vogël për Lavrov, i cili mendohet se zotëron prona dhe asete të tjera në vlerë prej qindra milionë dollarësh.

Në ditët e sotme, Lavrov është një nga figurat më të njohura të Rusisë në mes të konfliktit në Ukrainë, duke dhënë deklarata dhe justifikime për “operacionin special ushtarak” të Rusisë, duke denoncuar veprimet e fuqive perëndimore. Dje, atij iu ndalua të fluturonte për në Gjenevë për të marrë pjesë në një konferencë të OKB-së, pasi anëtarët e Bashkimit Evropian ndaluan avionët rusë nga qielli i tyre, si pjesë e sanksioneve kundër Moskës.

Lavrov denoncoi atë që ai e quajti lëvizje “të egër” në një fjalim në video në sesionin e OKB-së, duke akuzuar vendet anëtare të BE-së për “shmangien e dialogut të sinqertë ballë për ballë ose kontakteve të drejtpërdrejta të krijuara për të ndihmuar në identifikimin e zgjidhjeve politike për çështjet urgjente ndërkombëtare”.

“Perëndimi qartazi e ka humbur vetëkontrollin duke shprehur zemërimin kundër Rusisë dhe ka shkatërruar rregullat dhe institucionet e veta, duke përfshirë respektimin e pronës private. Është e nevojshme t’i jepet fund filozofisë arrogante perëndimore të vetësuperioritetit, ekskluzivitetit dhe lejueshmërisë totale”, tha Lavrov. Por diplomatët perëndimorë nga dhjetëra kombe u larguan nga salla e konferencave, ndërsa mesazhi i Lavrov filloi të jepej.

Ndërsa aleatët dhe kundërshtarët mund të respektojnë profesionalizmin e tij, Lavrov është kritikuar nga disa për ndjekjen e linjës së Kremlinit në vend që të drejtojë politikën e tij të jashtme. Ngjarjet e fundit kanë treguar se është kështu, pasi fjalimet e Lavrovit në media, duket se ngjajnë gjithnjë e më shumë me retorikën e Putinit.

You may also like