“Katar 2022” – ja skuadrat evropiane që mund të kualifikohen këtë javë

by admin
Spread the love

Kualifikueset e Kupës së Botës janë futur në një fazë mjaft interesante, pasi kanë mbetur shumë pak ndeshje për t’u luajtur dhe që në raundin e ardhshëm mes të hënës dhe të martës në mbrëmje, disa skuadra mund të sigurojnë biletën për në Katar.

Kështu skuadra e parë që mund të marrë një biletë për në Katar 2022 është Gjermania, që të hënën në mbrëmje do të përballet me Maqedoninë e Veriut në Shkup. Një fitore e “panzerave”, e kombinuar me një barazim ose humbje të Armenisë ndaj Rumanisë, do të bënte që skuadra e drejtuar nga Hansi Flick të siguronte matematikisht vendin e parë, që përkthehet në kualifikim direkt për në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Po të hënën, mund të sigurojë zyrtarisht kualifikimin edhe Belgjika, ndonëse nuk ka luajtur asnjë ndeshje eliminatore, pasi ka qenë e angazhuar në fazën finale të Ligës së Kombeve. Skuadra e drejtuar nga Roberto Martinez ka arritur të marrë 18 pikët e mundshme në 6 ndeshjet e para dhe mund të kualifikohet zyrtarisht nëse Uellsi nuk arrin të fitojë në Talin ndaj Estonisë.

Të martën pritet të marrë biletën për në Katar edhe Danimarka, që do të presë në shtëpi Austrinë. Danezët kanë bërë një fushatë eliminatore të shkëlqyer deri tani, duke fituar të 7 ndeshjet e luajtura, me një golavarazh +26 dhe kanë nevojë për 3 pikët ndaj Austrisë, që të sigurojnë edhe matematikisht pjesëmarrjen në Botëror, pavarësisht rezultateve të tjera.

Po në grupin F, Skocia është skuadra favorite për të siguruar vendin e dytë, që e çon në Play Off, por për ta bërë këtë që të martën në mbrëmje, i duhet të fitojë ndaj Ishujve Faroe dhe ky sukses të kombinohet me humbjen e Austrisë e izraelit, me këta të fundit që do të përballen me Moldavinë.

Në Grupin I, ku bën pjesë edhe kombëtarja shqiptare, favorite absolute për të siguruar kualifikimin direkt është Anglia, që kryeson me 19 pikë pas 7 ndeshjesh, por “tre luanët” do të duhet të presin muajin nëntor për të festuar zyrtarisht këtë arritje, pavarësisht rezultatit që do të prodhojë përballja Shqipëri-Poloni në “Air Albania”.

Nga ana tjetër, kuqezinjtë mund të sigurojnë praktikisht vendin e dytë, nëse ia dalin të marrin maksimumin ndaj Polonisë, pasi do të shkonin në +4 ndaj këtyre të fundit dhe do të kishin nevojë vetëm për 3 pikë, të cilat mund t’i marrin pa shumë sforcim ndaj Andorrës në ndeshjen e fundit të grupit.

Në grupet e tjera llogaritë janë të hapura dhe do të duhet të luhen ndeshjet e fundit, të parashikuara për në muajin nëntor, për të përcaktuar se cilat prej skuadrave do të marrë biletën direkt për në Katar dhe cilat do të luajnë në fazën Play Off.

You may also like