Kaloi 38 vjet burg për vrasje, tani u shpall i pafajshëm – Shqip

by admin
Spread the love

Një gjykatës i Los Angeles-it ka liruar një burrë që kaloi më shumë se 38 vjet pas hekurave për një vrasje të vitit 1983.

Maurice Hastings u lirua nga burgu vitin e kaluar pasi provat e ADN-së treguan një tjetër të dyshuar. Një gjykatës e rrëzoi dënimin tetorin e kaluar me kërkesë të prokurorëve nga Zyra e Prokurorit të Rrethit dhe avokatëve të Hastings nga Projekti i Pafajësisë në Los Angeles.

Prokurorët dhe avokatët e Hastings i kërkuan gjykatësit William C. Ryan të ndërmarrë hapa shtesë për ta shpallur Hastings të pafajshëm për vrasjen, e cila u krye më shumë se 40 vjet më parë. Të mërkurën, një gjykatës e gjeti Hastings “në fakt të pafajshëm”, që do të thotë se u vërtetua përfundimisht se Hastings nuk e kreu krimin, raporton CBS.

“Kjo do të thotë shumë. Unë jam mirënjohës për vendimin e gjykatësit dhe faljen – gjithçka ishte e mrekullueshme sot. Unë jam gati të vazhdoj me jetën time. Unë jam një njeri i lumtur sot,” tha Hastings pas seancës.

Prokurori i rrethit George Gascón pretendon se Hastings “i mbijetoi një makthi”.

“Ai kaloi pothuajse katër dekada në burg duke u përpjekur të provonte çdo herë pafajësinë e tij, duke u refuzuar vazhdimisht. Por Hastings mbeti i palëkundur dhe i bindur se një ditë do të dëgjonte një gjyqtar të deklaronte pafajësinë e tij,” shtoi Gascon.

Ai beson se një vendim në emër të Hastings do të hapë rrugën për të kërkuar dëme të mundshme.

Kur Hastings u lirua në tetor, Gascón tha: “Sistemi dështoi!”

Ai lavdëroi Hastings për “karakterin” dhe “angazhimin” e tij, duke thënë se ai kishte folur me Hastings shumë herë dhe nuk kishte ndjerë kurrë zemërim apo urrejtje.

Hastings u dënua për vrasjen e Roberta Wydermyer, e cila u qëllua në kokë. Trupi i saj u gjet në bagazhin e automjetit të saj në qytetin Inglewood, afër Los Angeles-it. Hastings qëndroi i pafajshëm gjatë gjithë gjyqit, por në vitin 1988 u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht. /tesheshi.com/

You may also like