Jo me çdo çmim! Marrëdhënia e BE-së me Kinën

by admin
Spread the love

Fjalim parimor i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen para udhëtimit në Kinë në fillim të javës së ardhshme. Mesazhi është i qartë: Shkëmbim i vazhdueshëm po, por jo me çdo çmim.

Bashkimi Europian është në kërkim të mënyrës së duhur të veprimit me Kinën. Dihet, se marrëdhëniet me Kinën janë komplekse nga ana ekonomike, po ashtu Europa është e varur nga lëndët e para kineze, ndërkohë që janë shtuar dallimet e rezervat, sidomos kur politikanë europianë e akuzojnë Kinën për shkelje të të drejtave të njeriut. Në Bruksel thuhet, se Kina është partnere, por edhe rivale sistemore. Para udhëtimit në Kinë (04.04.) me presidentin francez, Emmanuel Macron, presidentja e KE, Ursula von der Leyen ka paraqitur qëndrimet e BE në marrëdhëniet me Kinën.

Vendimtare: Marrëdhënia e Kinës kundrejt Rusisë

Në një pikë duhet të jemi të “drejtë dhe të ndershëm”, tha Ursula von der Leyen, e kjo lidhet me marrëdhënien e Rusisë ndaj Kinës. Ky është “faktori vendimtar” që përcakton marrëdhëniet e ardhshme me Kinën. Pekini deri tani nuk e ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës. Së fundmi, presidenti kinez, Xi Jinping udhëtoi për një takim me presidentin rus, Putin në Moskë. Në vizitën treditore dy krerët e shteteve nënshkruan një marrëveshje për partneritet strategjik. Takimi u interpretua si mbështetje për Putinin kundër të cilit, Gjykata Ndërkombëtare sapo kishte lëshuar pak më parë një urdhërarresti.

Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka përgjegjësi për të arritur një “paqe të drejtë”, tha von der Leyen. Kjo paqe nënkupton “moscënimin e integritetit territorial të Ukrainës”, dhe përjashton çdo lloj marrjeje të territoreve ukrainase nga pushtuesit rusë. Kina paraqiti në shkurt një plan 12 pikësh paqeje për Ukrainën, i cili u prit me zhgënjim nga shumë shtete perëndimore.

Andrew Small, ekspert për Kinën i “German Marshall Fund” është i mendimit se von der Leyen me këtë ka dërguar një mesazh të qartë tek Pekini: marrëdhënia me BE varet nga marrëdhënia e Kinës me Rusinë. Kina ka ndryshuar, ka konstatuar von der Leyen. Xi Jinping kërkon ta kthejë Kinën në kombin më të fuqishëm të botës. Në vend të reformave dhe hapjes janë vendosur siguria dhe kontrolli. Kina kërkon të krijojë një rend botëror, në qendër të të cilit ndodhet Pekini dhe ku të drejtat e individit i nënshtrohen sovranitetit kombëtar.


Top Channel

You may also like