Jeta mes mëmësisë dhe Ministrisë, Albulena Haxhiu ndan copëza nga jeta personale

by admin
Spread the love

Të jesh nënë do të thotë të jesh plotësisht e pushtuar nga dashuria, gëzimi e përgjegjësia. Mëmësia poashtu do të thotë netë pa gjumë, të qeshura, sfida e sakrifica.

Por, ta udhëheqësh një dikaster si ai i Ministrisë së Drejtësisë, e të jesh edhe nënë e tre fëmijëve bëhet akoma më e vështirë, sidomos me problemet që ballafaqohet vendi ynë.

Kjo është Albulena Haxhiu – ministrja e Drejtësisë në Kosovë.

Ajo ka thënë se nuk është e lehtë të udhëhiqet një institucion si Ministria e Drejtësisë, por mundohet t’i bëjë me përkushtim të dyja, megjithëse siç tha ajo, jo gjithmonë ia ka dalë.

Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ministrja ka shpalosur detaje nga jeta e saj private. Ajo ka folur për familjen, kohën që e kalon me të, punët e shtëpisë e shumëçka tjetër.

Klankosova.tv: Sa është e vështirë ta drejtoni dikasterin e drejtësisë në Kosovë dhe në të njëjtën kohë të jeni nënë e përkushtuar?

Albulena Haxhiu: Duke pasur parasysh problemet e trashëguara, sigurisht që nuk është e lehtë të drejtosh një institucion si Ministria e Drejtësisë dhe në anën tjetër të përkushtohesh për familjen. Duke qenë që si puna ashtu edhe familja janë të rëndësishme, mundohem t’i bëj me përkushtim të dyja. Jo çdo herë ia kam dalë.

Klankosova.tv: Nënë e tre fëmijëve, në një ministri me shumë punë, si gjenden balancat mes familjes dhe karrierës? Kush është krah i djathtë i yti?

Albulena Haxhiu: Të drejtosh një institucion të ndjeshëm me synimin për jetësimin e reformave në shumë fusha dhe në anën tjetër të jesh nënë e tre fëmijëve është e vështirë. Siç e thash mundohem të jem e përkushtuar edhe në punë por edhe ndaj fëmijëve.  Unë dhe Albani jemi të dy me angazhime prandaj edhe pa ndihmën e familjes gjithçka do të ishte më e vështirë.  Krah i djathtë i yni janë dy persona shumë të çmuar për mua e që në asnjë moment nuk ma kanë kthyer shpinën, mami dhe babi.

Klankosova.tv: A ju ka ndodhur ndonjëherë që ta humbni ndonjë moment të rëndësishëm në jetë shkaku i angazhimeve?

Albulena Haxhiu: Sigurisht që po. Angazhimet e shumta të pamundësojnë që të jesh në momente të rëndësishme me familjen. Ka edhe disa momente e ngjarje që kurrë s’kam lejuar të më humbin. Momente këto janë ditëlindjet e fëmijëve, mbledhjet e prindërve qoftë në kopsht apo shkolla ose aktivitetet që janë mbajtur në shkolla e kopshte por edhe kur nuk kanë qenë mirë me shëndet.

Klankosova.tv: Sa kohë kalon me fëmijët, familjen në përgjithësi?

Albulena Haxhiu: Në vitin e parë të qeverisjes ka qenë periudha më e vështirë, shto këtu faktin që në një pjesë isha shtatzënë ndërsa pjesën tjetër Andrra ishte shumë e vogël.  Tani, duke pasur parasysh që shumë prej reformave i kemi adresuar në Kuvend, është më e menaxhueshme dhe kam kohë edhe për veten dhe që pasditet t’i kaloj me familjen time.

Klankosova.tv: Çfarë bën vikendeve Albulena Haxhiu, si e kalon ditën?  Cili është hobi juaj?

Albulena Haxhiu: Jo çdo vikend jemi të lirë nga puna por kur nuk kam angazhim, merrem krejt kohën me fëmijët, dalim, bëjmë aktivitete bashkë, pastrojmë etj.

Klankosova.tv: Nëse nuk do të ishe juriste dhe në krye të Ministrisë së Drejtësisë, me çfarë do të merreshe?

Albulena Haxhiu: Nuk e kam menduar ndonjëherë. Gjithsesi në ndonjë vend ku do të mund të jepja kontributin tim për shoqërinë.

Klankosova.tv: Cilin lloj të muzikës e preferon Albulena Haxhiu? Nëse dëgjon shqip, cili/a është artisti/ja juaj i/e preferuar?

Albulena Haxhiu: Nuk kam ndonjë zhanër të veçantë. Megjithatë, më pëlqejnë këngët e vjetra qytetare, që besoj të gjithë i duam ato.

Klankosova.tv: A jeni profesioniste në kuzhinë, nëse po, cili është ushqimi që ju gatuani më së miri?

Albulena Haxhiu: Në ushqim, unë jo dhe aq por Albani po. Unë mendoj që jam e mirë në gatim të ëmbëlsirave prandaj edhe i kemi ndarë punët 🙂

Klankosova.tv: Një moment në jetën publike që do doje të mos kishte ndodhur?

Albulena Haxhiu: Pyetje interesante të cilën po e lë pa përgjigje.

Klankosova.tv: Cila është arsyeja kryesore e debateve në shtëpi që barten nga angazhimi publik?

Albulena Haxhiu: Duke qenë që edhe unë edhe Albani jemi të angazhuar politikisht, gjithnjë debatet në shtëpi për tema ditore dominojnë. Ndonëse mundohemi t’i kursejmë fëmijët nga të njëjtat.

Klankosova.tv: Ideologjikisht në një parti me Albanin, por sa shpesh ndani pikëpamje të ndryshme?

Albulena Haxhiu: Kemi edhe pikëpamje të ndryshme jo për politikat nacionale a ideologjike por për tema të politikës ditore. Përveç meje, po ashtu edhe Albani është person që kur nuk pajtohet me diçka nuk mund të mos shprehet dhe kjo e bën debatin edhe më interesant 🙂

Klankosova.tv:Dhe për fund, për çfarë pune jeni më së shumti krenare gjatë punës gati dyvjeçare si ministre e Drejtësisë?

Albulena Haxhiu: Kemi shënuar një progres evident në gjitha prioritetet tona. Reforma në drejtësi, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, adresimi i dhunës në familje dhe adresimi i krimeve të luftës por kemi edhe shumë punë për të bërë. Këto janë reforma shumë të rëndësishme që presim efektet e tyre në vitin e ardhshëm.

klankosova.tv

You may also like