Japonia do të përfshihet në mbrojtjen e Mozambikut nga ‘kërcënimet e sigurisë’ (fotot)

by admin
Spread the love

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida tha sot se Tokio do të ndihmojë Mozambikun të përballet me kërcënimet e sigurisë prej grupeve islamiste në zonat veriore.

Zona veriore gaz-mbajtëse e Mozambikut, Cabo Delgado, po përballet me aktivitet militantësh të lidhur me elemente te Shtetit Islamik, shkruan rrjeti AFP.

Teksa vizitonte kryeqytetin e vendit afrikan Maputo, kryeministri Kishida tha se “siguria në veri të Mozambikut është shumë e rëndësishme sepse aty operojnë kompani japoneze”.

“Japonia do të mbështesë financiarisht luftën kundër terrorizmit,” tha Kishida në Maputo, në ndalesën e fundit të turneut të tij në Afrikë.

“Siguria atje është thelbësore për operimin e kompanive japoneze në veri të Mozambikut”.

Mozambiku raportohet se zotëron disa nga depozitat më të mëdha të gazit natyror në jug të Saharasë, të cilat u zbuluan në provincën veriore me shumicë muslimane në vitin 2010.

Sipas llogaritjeve nëse depozitat e gazit shfrytëzohen plotësisht, vendi mund të bëhet një nga 10 eksportuesit më të mëdhenj të gazit në botë.

Korporata japoneze Mitsui ka 20 përqind të aksioneve në projektin $20 miliardësh të drejtuar nga grupi francez energjitik TotalEnergies, që është pezulluar nga viti i shkuar prej sulmeve të militantëve.

Javën që shkoi presidenti i Mozambikut, Filipe Nyusi tha se janë kushtet për rinisjen e punës, por grupi TotalEnergies nuk ka pranuar ende rifillimin e operacioneve.