IZRAEL – Netanyahu refuzon zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez

by admin
Spread the love

TIRANË, 21 janar /ATSH/ – Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë sërish idenë e krijimit të një shteti palestinez, sipas BBC.

Deklarata e tij erdhi disa orë pas një telefonate me presidentin amerikan Joe Biden, pas së cilës udhëheqësi amerikan tregoi se Netanyahu mund ta pranojë ende idenë.

SHBA-ja beson se propozimi për një shtet palestinez përkrah Izraelit, i njohur si “zgjidhja me dy shtete”  është jetik për stabilitetin afatgjatë.

Por, Shtëpia e Bardhë pranoi këtë javë se qeveritë e SHBA-së dhe Izraelit i shohin gjërat ndryshe.

Duke folur me gazetarët pasi të dy udhëheqësit zhvilluan një telefonatë për herë të parë në pothuajse një muaj, Biden këmbënguli se një zgjidhje me dy shtete ishte ende e mundur me Netanyahun në detyrë.

“Ekzistojnë një sërë zgjidhjesh me dy shtete. Ka një numër vendesh që janë anëtarë të OKB-së që… nuk kanë ushtritë e tyre”, tha ai.

“Në bisedën e tij me presidentin Biden, kryeministri Netanyahu përsëriti politikën e tij se pasi Hamasi të shkatërrohet, Izraeli duhet të mbajë kontrollin e sigurisë mbi Rripin e Gazës për të siguruar që Gaza të mos përbëjë më një kërcënim për Izraelin, një kërkesë që bie ndesh me kërkesën për sovranitet palestinez”, sipas një deklaratë të lëshuar dje nga zyra e Netanyahut.

Gjithashtu në një postim dje në X, dikur Twitter, ai tha se Izraeli duhet të mbajë kontrollin e sigurisë mbi të gjithë zonën në perëndim të lumit Jordan, një zonë që përfshin gjithashtu territorin e Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Njoftimi i Netanyahu shuan shpresat në disa qarqe se kriza e Gazës mund të rezultojë në rifillimin e negociatave diplomatike nga liderët izraelitë dhe palestinezë dhe fillimin e procesit të fjetur të paqes.

Hamasi vrau rreth 1300 persona, kryesisht civilë dhe mori 240 pengje në sulmin e tyre të befasishëm në Izraelin jugor më 7 tetor.

Mijëra protestues, duke përfshirë të afërmit e atyre që ende janë të zhdukur, u mblodhën dje në Tel Aviv, duke i kërkuar Netanyahut të arrijë një armëpushim për të lejuar kthimin e pengjeve në shtëpi. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like