Italia dënon rëndë piraterinë në TV/ 5 mijë euro gjobë kush vjedh të drejtat e autorit

by admin
Spread the love

Italia ka forcuar ligjin për ndalimin e piraterisë, tashmë i përhapur në masë edhe në internet.

Me 140 vota pro, senati i parlamentit italian votoi njëzëri ligjin, që tashmë vendos gjobë 5 mijë euro dhe fillon ndjekjen penale për të gjithë kriminelët që vjedhin të drejtat e pronës dhe autorësisë.

Në fokusin e tij, ligji ka zgjerimin e kompetencave të entit rregullator në fushën e komunikimeve elektronike. Pirateria po gjen terren të gjerë, jo vetëm në kabllorë, por tashmë edhe në internet, sidomos ato që i përkasin eventeve sportive. Në këtë mënyrë enti do të zgjerojë mbikëqyrjen te ofruesit e shpërndarjes së internetit dhe  ka të drejtën që të bllokojë çdo shpërndarje pirate të përmbajtjes.

Me ligjin e ri shmangen një sërë procedurash të gjata burokratike, që pengonin bllokimin e menjëhershëm të faqeve pirate. Me marrjen e ankesës nga subjekti që gëzon të drejtat, enti mund ta mbyllë faqen pirate brenda 30 minutave, qoftë edhe si masë paraprake. Më pas është i detyruar të njoftojë menjëherë prokurorinë, në mënyrë që të fillojë ndjekja penale e personave përgjegjës.

Ligji vjen në kushtet kur në Itali, piratimi i ndeshjeve sportive pati një rritje të theksuar me gati 26% gjatë 2022-it. Sipas shifrave të paraqitura nga qeveria italiane, pirateria i shkakton vendit 700 milionë euro humbje në vit dhe rrezikon mbi 10 mijë vende pune.

Përveç kësaj, në faqet pirate online është shumë i lartë edhe rreziku i ndarjes së të dhënave private, sidomos atyre bankare, që më pas keqpërdoren nga grupet kriminale.


Top Channel

You may also like