Istrefi: Trepça jemi të gjithë

by admin
Spread the love

Kryetari i klubit të hendbollit Trepça e Mitrovicës, Bujar Istrefi, njëherësh anëtar i Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe i angazhuar edhe në KB Trepça, ka një mesazh domethënëse për sportdashësit mitrovicas. 

“Trepça jemi të gjithë!

Vetëm ne që jemi të qytetit buzë Ibrit, Mitrovicës tonë, vetëm në që jemi rritur me Trepçën pjesë të çdo teme e çdo muhabeti, e kuptojmë dhimbjen kur klubet e qytetit nuk janë në rrugën e duhur. 

Fatkeqësisht prej klubit të futbollit Trepça ka kohë që nuk kemi gëzime. Por për këtë tjetër herë… 

Klubin e hendbollit po e kthejmë gradualisht në binarë. Në disa sporte tjera ka avancim.

Gjithsesi në fokus këto ditë është gjendja në klubin e basketbollit Trepça. Dhe nuk ka ditë që nuk ndalem me dhjetëra bashkëqytetarë e të bisedoj për gjendjen në klubin tonë të basketbollit. Pyetjet janë nga më të ndryshmet, idetë e kërkesat po ashtu. 

E kuptueshme.  E pritshme.

KB Trepça po shquhet për organizim e sidomos për përkrahje masovike. Përkrahje nga i gjithë qyteti dhe nga gjithë bashkëqytetarët tanë në shtete të ndryshme të botës.

Është fakt që rezultatet momentale nuk janë ato që të gjithë i duam. Por është e pamohueshme dashuria e çdo mitrovicasi për klubin e basketbollit. Personalisht më bëhet zemra mal kur shoh kolonën e qytetarëve duke pritur për ta blerë biletën për ndeshje, ndonëse skuadra vjen pas një humbje apo nuk është në momentin më të mirë.

Kjo është  dëshmi e fortë. Shumë e fortë. Është dëshmi që e duam Trepçën e jo vetëm rezultatet e saj. Është dëshmi që dashuria e çdo mitrovicasi për KB Trepçën është e pastër si kristalet e Trepçës sonë.

Dhe në një moment jo shumë pozitiv sa i takon rezultateve sportive, është domosdoshmëri që kjo dashuri e pastër, dashuri kristal, të përçohet te lojtarët, te skuadra dhe drejtuesit e saj. Që ata ta ndiejnë këtë.

Lojtarëve sidomos, por edhe drejtuesve, u duhet përkrahja. Përkrahja e madhe. Përkrahje duke respektuar integritetin personal, duke respektuar kontributin dhe duke kërkuar kontribut më të madh nga secili. Por jo në formë të presionit. Jo me ofendime.

Jam i sigurt që secili që të paktën një herë ka veshur fanellën e Trepçës e di lidhjen që qytetari mitrovicas ka me këtë fanellë.

Pasionin e zjarrtë për të. Andaj jam i sigurt që secili prej lojtarëve do të bëj më të mirën e mundshme për të kthyer skuadrën te rezultatet e mira.

Kthimi te rezultatet pozitive patjetër që do të ndodhë. Organizimi shembullor i klubit, niveli profesional i tij, përbërja cilësore e lojtarëve, përkrahja e një qyteti të tërë, është garancë për këtë. 

Ka edhe shumë ndeshje për të luajtur. Ka ende kohë për ta gjetur formën më të mirë dhe për ta sulmuar titullin e kampionit. Klubi tashmë ka bazën e shëndoshë mbi të cilën do të ndërtohet këtë vit, por edhe në vitet e ardhshme. Kjo është më e rëndësishmja.

Jam i sigurt që çdo tifoz, çdo anëtar i Torcidës, do të jetë krenar me rezultatet e Trepçës. Me angazhimin e lojtarëve para të gjithave. Le ta bëjmë punën tonë, t’i përkrahim ata. Jo vetëm në ndeshje, por edhe në rrugë e në çdo kontakt me ta. 

Ata e dinë, ashtu si të gjithë, që Torcida meriton skuadër kampione. Meriton lojtarë që janë të pakompromis nga fillimi e deri në fund. Që luftojnë për fanellën e rëndë të Trepçës.

Torcida vazhdon të jetë kampione e pakontestueshme e tribunës. Shembull që duhet ndjekur. Shkollë. Dhe do të dijë sërish, ashtu si çdo herë, që dashurinë e pastër kristal ta kthejë në energji për skuadrën dhe anëtarët e saj.

Me Trepçën do të mburremi gjithnjë. 

Ne të gjithë jemi Trepça”, ka shkruar Istrefi në profilin e tij në facebook.

You may also like