Ish të burgosurit zbulojnë detaje nga skandali i përdhunimeve në burgjet e Rusisë

by admin
Spread the love

Ish-të burgosur kanë folur për BBC-në se janë përdhunuar dhe torturuar sistematikisht në burgjet ruse. Pamjet e publikuara të abuzimeve të tilla kishin qarkulluar vitin e kaluar, dhe tani viktimat kanë thënë se pse ndodhë kjo dhe si po luftojnë ata për drejtësi.

Spitali i burgut të Saratovit, në jug-perëndim të Rusisë, erdhi në vëmendjen e publikut vitin e kaluar kur videot e abuzimit të tmerrshëm të të burgosurve u dërguan te një organizatë e të drejtave të njeriut dhe u raportua në mediat ndërkombëtare.

Alexei Makarov e dinte reputacionin e tij para se të transferohej atje më 2018 si pjesë e dënimit prej gjashtë vjetësh për sulm. Të burgosurit që dërgoheshin në Saratov nga burgjet e tjera ishin ankuar se bazat mjekësore ishin të fabrikuara që të mund të torturoheshin prapa dyerve të mbyllura. Burgjet ruse kanë pothuajse asnjë mbikëqyrës të pavarur, dhe spitalet e burgjeve edhe më pak.

Makarov vërtetë nuk ishte mirë me shëndet dhe shpresonte se do të kursehej. Por, ai tha se ishte përdhunuar dy herë gjatë kohës sa kishte qëndruar.

Viktimat dhe ekspertët thonë se abuzimi përdoret për të shantazhuar të burgosurit, për t’i frikësuar ose për t’i detyruar të rrëfejnë.

Rrjedhjet e pamjeve kanë detyruar qeverinë ruse që t’i përgjigjet skandalit të torturës. Tortura u raportua në 90% të rajoneve të Rusisë mes viteve 2015 dhe 2019, sipas projektit të pavarur medial rus, Proekt. Por, veprimi ka qenë i ngadalshëm. BBC-ja ka analizuar mijëra dokumente të gjykatës që datojnë nga ajo kohë dhe ka gjetur 41 anëtarë të shërbimit të burgut të dënuar në disa nga gjyqet më serioze për abuzim me të burgosur. Por, thuajse gjysma prej tyre kanë marrë vetëm suspendime si dënime.

Hera e parë që Makarovi u torturua ishte në shkurt 2020, tha ai.

“Për 10 minuta ata më rrahën, më shqyen rrobat. Dhe për dy orët e tjera ata më përdhunuan çdo minutë me bishta fshese. Kur më ra të fikët, ata më gjuanin ujë të ftohtë dhe më gjuanin në tavolinë”.

Dy muaj më vonë ndodhi sërish. Atij iu kërkua të paguante 50,000 rubla për sulmuesit e tij dhe ai tha se u përdhunua në përpjekje për ta mbajtur të heshtur për këtë.

Makarov tha se tortura në burg e tij ishte incizuar. Të burgosurit e dinë se pamjet mund të shpërndahen në tërë burgun nëse ata nuk bashkëpunojnë.

Përdhunuesit ishin të burgosur të tjerë, të cilët Makarov dhe të tjerë janë të sigurt se vepronin nën instruksionet e shefave të burgut.

Muzika do të luhej në maksimum gjatë episodeve të torturës, tha Makarov, për të mbytur britmat.

Më 2021, një i burgosur nxori video jashtë burgut rus, duke zbuluar një nga torturat më të rënda të para ndonjëherë në Rusi.

Pamjet nga Saratovi të publikuara vjet u nxorën me ndihmën e tjetër kujt. Sergey Savelyev menaxhoi të nxirrte pamjet jashtë që tregonte dhunën kundër dhjetëra të burgosurve.

Savelyev kishte qasje në pamje sepse atij iu kërkua të punonte në departamentin e sigurisë. Atij iu kërkua të monitoronte dhe katalogonte pamjet nga kamerat.

Atij iu tha t’i ruante pamjet e disa prej sulmeve dhe t’ia tregonte departamentit, dhe në raste t’i transferonte ato që të mund t’i shihnin më shumë nga personeli i lartë.

Kur zbuloi tmerret që po ndodhnin prapa dyerve të mbyllura, ai filloi t’i kopjonte dhe t’i fshihte.

Savelyev tha se të burgosurit që kryenin abuzimet ishin ata që ishin dënuar për krime të rënda dhe që po vuanin dënime me burgim të gjatë. Kështu, ata janë të interesuar të bëjnë favore me autoritetet në mënyrë që të trajtohen më mirë, tha ai.

Pas dëshmive të publikuara, gjashtë abuzues u arrestuan, por mohuan se ishin të përfshirë. Dy muaj më vonë, drejtori i spitalit të burgut të Saratovit dhe zëvendësi i tij u arrestuan.

Presidenti rus Vladimir Putin e zëvendësoi kreun e shërbimit të burgut kombëtar dhe deklaroi “masa sistematike” që duhet të sillnin ndryshime.

Nuk është hera e parë që Putini premton ndryshime. Njëjtë bëri edhe më 2018 kur u nxorën pamjet e para që tregonin rojet duke kryer rrahje masive në një burg.

Avokatja Yulia Chvanova tha se motivi primar për abuzimin e të burgosurve është fokusi i autoriteteve në rrëfim, pavarësisht fajit. Ajo po përpiqet të fitojë kompensimin për Anton Romashovin që është torturuar më 2017 pasi refuzoi të pranonte krimet që nuk i kishte kryer.

Romashov u arrestua për posedim të marihuanës, por policia i bëri presion të pranonte se kontrabandonte drogë. Kur ai refuzoi, u dërgua në një qendër dënimi.

“Më dërguan në qelinë numër 26. E dija saktësisht çfarë lloj qelie ishte ajo… sepse dëgjoja britmat që vinin nga aty”.

Aty, dy burra po e prisnin. Ai tha se u hodh në tokë, duart dhe këmbët e lidhura prapa trupit, para se të rrihej tërë ditën. Kur iu hoqën pantallonat, ai tha se do të nënshkruante çfarëdo që donin ata. Ai u dënua me pesë vjet burgim, pavarësisht se gjykatës i tha se ishte torturuar gjatë rrëfimit.

Por, skandali më i madh i torturave në vend ndodhi në rajonin Irkutsk. Pas protestës në pranverën 2020 në Burgun 16 në Angarsk, autoritetet dërguan ekipin që shkaktoi trazirat. Qindra të burgosur u mblodhën dhe u dërguan në dy qendra dënimi ku po prisnin oficerët e burgut.

Një nga ata që u torturua, Denis Pokusaev, tha se stafi i burgut ishte i hapur për atë se pse po dënoheshin ata që po mbaheshin.

Ai tha se keqtrajtimi ishte i vazhdueshëm.

“Abuzimi vazhdoi për gati tre muaj çdo ditë, përveç fundjavave”.

Tha se stafi ishte i përfshirë në sesionet e torturave.

“Ata qeshnin, hanin fruta… një person po përdhunohej me të gjitha llojet e objekteve… dhe ata vetëm qeshnin, e pëlqenin atë”.

Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se të paktën 350 të burgosur u torturuan pas trazirave.

Pokusaev thotë se ende e përndjek ajo që i ka ndodhur.

“Shkoj në një mal afër shtëpisë sime gati çdo ditë. Dhe bërtas, shaj, i them të gjitha për të mos i mbajtur brenda”.

Ai është i vendosur që të përpiqet të marrë drejtësinë. Beson se është e mundshme nëse njerëzit kanë kurajë mjaftueshëm për të folur.

“Tani, njerëzit në Rusi frikësohet të dalin dhe të thonë diçka… kjo është arsyeja pse njerëzit nuk arrijnë diçka”.

Pokusaev është në mesin e rreth 30 burrave që kanë fituar të drejtën për t’u njohur ligjërisht si viktima nga incidenti dhe një nga pak rastet e përgatitur për të dëshmuar në gjyq.

Rruga Press

You may also like