Inzaghi: E jashtëzakonshme nëse fitojmë titullin, të luajmë e mos të pendohemi

by admin
Spread the love

Do të jenë 90 minutat e fundit të Interit në këtë sezon të Serie A ku po shpreson ende për titullin kampion. Sfida e fundit do të jetë në “Giuseppe Meazza” përballë Sampdorias, ndërsa në prag të kësaj ndeshje ka folur në konferencën për shtyp edhe tekniku Simone Inzaghi.

SEZONI- “Ka qenë një sezon me ngjyra, jo bardhezi si disa të tjerë mendojnë. Kemi fituar kupa, kemi zhvilluar një lojë të bukur, arritëm deri në fazën e 1/8 në Champions dhe jemi këtu për të luajtur për titullin kampion deri në ditën e fundit të kampionatit”.

JAVA- “Skuadra ka kaluar një javë si çdo javë tjetër duke përgatitur ndeshjen. Janë edhe 90 minuta për t’u luajtur në mënyrë të madhe dhe mos të kemi pendesa. E dimë se nuk varet më nga ne. Duhet të arrimë në 84 pikë dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

MUNDËSIA PËR TË FITUAR TITULLIN- “Ne duhet të përqëndrohemi vetëm në atë që varet nga ne dhe kjo është ndeshja me Sampdorian. Një skuadër që luan pa presion dhe kundër Fiorentinës ka zhvilluar ndeshjen më të mirë të muajve të fundit. Fati jonë nuk varet vetëm nga ne, por kalon nga kjo sfidë që e kemi përgatitur me seriozitet të madh”.

HANDANOVIC DHE PERISIC- “Samir ka qenë një vlerë e shtuar për ne dhe ka bërë shumë mirë. Shpresoj që të qëndrojë edhe Ivan që ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm. Megjithatë, për këtë çështje kam një takim me drejtuesit. Do të bëjmë një mbledhje për të folur për t’u rritur dhe për të ardhmen. Kemi një raport të hapur dhe të sinqertë me ta. Ne do të takohemi dhe do të vendosim për gjithçka”.

NOTA- “Nuk vendos notë, ju gazetarët jeni më të mirë se mua në këtë punë. Mund të them se kur nisi sezoni mendonim se nuk do të ishte një vit i lehtë, e megjithatë u treguam të mirë duke fituar dy trofe dhe po luajmë titullin në sfidën e fundit. Kampionati mund të rezervojë surpriza, edhe pse ne jemi të përqëndruar vetëm për Sampdorian”.

EMOCIONET- “Po i përjetoj me një qetësi të madhe, si në shtëpi me familjen edhe në fushë me lojtarët. Mund të them vetëm që skuadra ka bërë një sezon fantastik dhe jam shumë i lumtur. Do të jetë e jashtëzakonshme nëse fitojmë edhe titullin nesër, por jemi të qartë me veten se ne kemi dhënë gjithçka dhe i kemi dhënë kënaqësi publikut.

Edhe në një muaj e gjysmë ku rezultatet nuk po dilnin si ne kërkonim, ata gjithmonë na kanë qëndruar pranë. Ndeshja e Superkupës në San Sior dhe ajo e Kupës së Italisë në Olimpico me 40,000 interistë janë një tregues për këtë gjë”.

KRAHASIMET ME CONTEN- “Nuk më shqetësojnë aspak, unë kam një raport të shkëlqyer me të dhe është diçka reciproke. Ka bërë një punë të shkëlqyer këtu. Ky është një krahasim normal në raste të tilla, por unë nuk i kushtoj rëndësi. Shikoj vetëm atë që më ka dhënë skuadra dhe klubi në rrugëtimin e këtij sezoni. Ka qenë një vit i mrekullueshëm pavarësisht se çfarë do të ndodhë nesër”.

TRAJNERËT E SERIE A- “Kanë qenë shumë trajnerë që kanë bërë mirë, por nëse është dikush që më ka befasuar, ai është Davide Nicola. E mori ekipin në një situatë të vështirë ndërsa tani po lufton deri në javën e fundit”.

MOTIVIMI- “Interi dhe Milani duhet të shqetësohen vetëm për veten e tyre, më shumë se sa për rivalët në titullin kampion. Do të përballemi me dy skuadra që mund të përmirësojnë renditjen e tyre në tabelën e klasifikimit dhe që zhvillojnë ndeshje serioze dhe të organizuara mirë. Duhet të jemi të mirë dhe të japim gjithçka”. /oversport.tv

You may also like