Interi zhgënjen edhe përballë Fiorentinës, zbehen shanset për titull

by admin
Spread the love

Interi vazhdon të zhgënjejë në kampionat. Skuadra e Inzaghit nuk arrin që të marrë më shumë se një pikë në “San Siro” pasi ka barazuar 1-1 përballë Fiorentinës. Një rezultat që komprometon seriozisht shanset e skuadrës së Inzaghit për të fituar titullin kampion këtë sezon.

Fiorentina luan më mirë në pjesën e parë, ndërsa zikaltërit dominojnë fraksionin e dytë, por nuk arrijnë që të gjejnë rrugën e suksesit. Miqtë shënojnë të parët me Torreira, ndërsa vendasit barazojnë me Dumfries. Edhe VAR është protagonist me një penallti të anuluar për Interin.

Në “San Siro” luhet një ndeshje e bukur dhe me raste për shënim nga të dyja skuadrat. Janë miqtë ata që nisin lojën më mirë dhe shfaqen rrezikshëm me Nico Gonzalez dhe Saponara, por Handanovic nuk lejon që porta e tij të preket. Rasti më i pastër regjistrohet në minutën e 21-të, kur Nico Gonzalez godet por Skriniar devijon me trup.

Rasti i parë i rrezikshëm për Interin është pas minutës së 30-të me Vidal. Zikaltërit rrisin lojën e tyre dhe dominojnë pjesën e mbetur të pjesës së parë. Provon edhe Dzeko, por gjuajtja e tij ndalet nga Terracciano.

Lautaro arrin të zhbllokojë sfidën, por goli i anulohet për pozicion jashtë loje. Mbyllet pa gola pjesa e parë në “San Siro”, por nuk kanë munguar rastet për shënim, madje Fiorentina ka dominuar, pasi ka gjuajtur 11 herë drejt portës zikaltër.

Edhe pjesa e dytë nis me ritëm dhe me raste për shënim. Interi rrezikon me Vidal, por pret Terracciano dhe më pas me Barella gjuan jashtë. Zikaltërit kërkojnë golin e avantazhit, por janë miqtë ata që zhbllokojnë ndeshjen me Lucas Torreira, që mposht Handanovic.

Nuk zgjat shumë gëzimi i Fiorentinës, sepse Interi barazon 5 minuta më vonë me Dumfries. Ndeshja bëhet e bukur dhe zikaltërit kërkojnë të shënojnë golin e avantazhit.

Venuti pengon Lautaron në zonë dhe për gjyqtarin Chiffi është penallti. Por ndërhyn VAR dhe nuk ka 11-metërsh. Interi është më këmbëngulës dhe kërkon të gjejë golin e fitores, por edhe Fiorentina zbret rrezikshëm në kundërsulm.

Inzaghi hedh forca të reja në fushë në kërkim të suksesit. Zikaltërit dominojnë në lojë, por nuk arrijnë që të rrezikojnë në portën kundërshtare.

Provon edhe Barella, por goditja e tij është e dobët dhe Terracciano pret pa vështirësi. Sanchez godet por nuk arrin që të çojë dot topin në rrjetë, pasi goditja e tij devijohet në këndore. Interi është hedhur i gjithi në sulm, por nuk arrin të shënojë dot golin e fitores edhe pas 4 minutave shtesë.

Mbyllet në barazim 1-1 një ndeshje plot emocione në “San Siro”.

Foto: Inter Twitter

You may also like