Inspektohet stadiumi i Kukësit, Duka: Shpresojmë të jetë gati për 10 ditë

by admin
Spread the love

Kukësi pritet të rikthehet të luajë në shtëpi dhe gjasat janë që kjo të ndodhë në fillim të muajit prill, në ndeshjen kundër Tiranës së vendit të parë. Për tifozët e klubit verilindor do të ketë një motiv më tepër për të qenë në stadium, të shohin çfarë impianti u është ndërtuar në qytetin e tyre dhe të shohin skuadrën e tyre të zemrës duke luftuar të mundë Tiranën kryesuese.

Ditën e sotme në Kukësi ka qenë edhe presidenti Armand Duka, i cili edhe ka folur në lidhje me stadiumin. “Kompania dhe bashkia, në bashkëpunim me të gjithë, kanë sfiduar kohën. Jetojmë në kohë të vështira, në kohë pandemie dhe kemi realizuar një vepër fantastike, që do të ishte e denjë për çdo qytet europian, jo vetëm në Kukës”, tha Duka mes të tjerash.

Më tej ai shtoi: “Projektet tona në Kukës nuk përfundojnë këtu, vazhdojnë me fushën pas stadiumit që e kemi kontraktuar tashmë. Puna vazhdon dhe besoj që do të përfundojë muajin e ardhshëm, bashkë me tapetin artificial, Do të vazhdojmë me ndërtimin e një apo dy fushave me bar natyral. Besoj se me këto investime kemi siguruar të ardhmen e futbollit për të paktën 10 vitet e ardhshme në Kukës.

E vetmja gjë që pritet është fusha, që për arsye të temperaturave shumë të ulëta që kanë qenë kohët e fundit në Kukës nuk e kanë lënë që të zhvillohen rrënjët e barit. Pritet që temperaturat të rriten dhe besoj që në 10 ditë të jetë gati për t’u inauguruar”.

Fjalën e ka marrë edhe kryebashkiaku Safet Gjici: “Për çdo kuksian ishte një ëndërr realizimi i një stadiumi me këto standarde. Besoj që ky stadium i plotëson të gjitha standardet e UEFA-s për të luajtur jo vetëm ndeshjet e kampionatit shqiptar, por edhe ndeshjet e kupave të Europës, kudo që Kukësi të marrë pjesë, por edhe ekipet kombëtare të moshave”. / oversport.tv

Foto: fshf.org

You may also like