Ikona e futbollit gjerman i bën thirrje Bajernit: Largojeni që tani Tuhelin, në Champions me… Murinjon

by admin
Spread the love

Humbja përballë Borusia Dortmund në klasiken e futbollit gjerman, mund të sjellë largimin më të shpejtë të Tomas Tuhel nga pankina e skuadrës bavareze. Kjo edhe për faktin se po shtohen gjithnjë e më shumë zërat kundër tij.

Tuhel ka vendosur të largohet në fund të sezonit nga ekipi bavarez, por tashmë ka edhe emra të njohur të cilët duan që ai të mos jetë në drejtimin e ekipit. Pas kësaj humbje që çoi në 13 pikë diferencën me Bajer Leverkusenin kryesues, Tuhel e uroi skuadrën e drejtuar nga Çabi Alonso për titullin kampion.

Dhe kjo nuk i ka pëlqyer Ditmar Haman, një ikone të Bajern Mynih dhe Gjermanisë, i cili ka shprehur dëshirën që Tuhel të largohet sa më parë, pasi kështu skuadra do të ketë më shumë shanse që të paktën të tentojë fitoren e Ligës së Kampioneve në këtë edicion.

“Si klub, duhet të marrësh një vendim që është më e mira për klubin. Këtu nuk është çështja për Tomas Tuhel, apo Maks Eberl, Herri Kejn apo Xhoshua Kimish. Kjo ka të bëjë me Bajern Mynih.

Je mes 8 skuadrave më të mirë në Europë dhe nëse Bajerni luan si mundet, ata kanë një mundësi të mirë për të kaluar Arsenalin. Ky Arsenal është një ekip i mirë, por përsëri pa shumë eksperiencë në këto nivele. Dhe sipas mendimit tim, tani duhet marrë vendimi nëse kjo është zgjedhja më e mirë që të mundëson të kalosh përballë Arsenalit.

Sipas meje, drejtuesit duhet të pyesin veten nëse duan të hyjnë në pjesën e fundit të sezonit dhe në Ligën e Kampioneve me Tomas Tuhel në drejtim në javët e ardhshme.

Ata duhet të mendojnë seriozisht të gjejnë një trajner të ri për javët e ardhshme, ka shumë në treg. Mendoj emra si Murinjo. Mund të mendoni çfarë të doni për Murinjon, por lojtarët te Çelsi e dashuronin atë. Ai është një person i jashtëzakonshëm në aspektin profesional”, tha Haman në analizën e tij.

PANORAMASPORT.AL

You may also like