Idealizmi i Postecoglou, përse Tottenhami doli më i fortë nga humbja 1-4?

by admin
Spread the love

Kur Ange Postecoglou erdhi në krye të Tottenham Hotspurs në verë, trajneri deklaroi qartë që nuk do të bënte kompromis asnjëherë me principet e tij të lojës.

Pavarësisht situatës në të cilën ndodhet, skuadra e tij do të luante gjithnjë në të njëjtën mënyrë sipas 58-vjeçarit.

Futboll sulmues, të shpejtë dhe argëtues për sytë e publikut. Përkushtimi pothuajse ungjillor ndaj parimeve të tij të futbollit do të thotë se ai thjesht nuk sheh asnjë mundësi tjetër.

Ndeshja e së hënës ndaj Chelseat u duk si një skenar i parapërgatitur për të testuar idealizmin e Postecoglou. Daljet me kartonë të kuq të Cristian Romeros dhe Destiny Udogie, do të bënin që çdo trajner tjetër të ndryshonte planin e ndeshjes. Dhe të fokusohej për anën defensive për pjesën e mbetur të takimit.

Përkundrazi, Ange Postecoglou vijoi i palëkundur në planin e tij, duke e mbajtur skuadrën përpara dhe duke luajtur me një linjë të lartë mbrojtëse. Përveç largimeve të Romeros dhe Udogie, Tottenhami vuajti dhe dëmtimet e Van de Ven dhe Maddison. Të cilët deri më tani kanë qenë vendimtarë në ecurinë fantastike të londinezëve.

Humbja e parë sezonale në Premier League, erdhi në një mënyrë tejet zhgënjyese. Dhe fakti që ishte një derbi ndaj rivalëve të Chelseat, bëri që keqardhja të ishte e dyfishtë për të besuarit e Postecoglou.

Megjithatë, mënyra se si erdhi disfata lë më shumë vend për optimizëm sesa pesimizëm. Tifozët e përkrahën ekipin në çdo moment. Gjithashtu dhe duartrokitjet në fundin e ndeshjes ishin sinjali më i mirë që Tottenhami po ecën në rrugën e duhur.

Humbja 4-1 ishte padyshim e rëndë dhe mund të ketë pasoja serioze afatgjata, edhe për shkak të dëmtimeve të Maddison dhe Van de Ven. Por performanca e Spurs në derbin londinez shërbeu gjithashtu për të përforcuar mesazhit e Postecoglou.

Asgjë nuk duket se do ta largojë atë nga të luajturit futboll në mënyrën që ai beson, edhe në rastet unike kur ekipi i tij mbetet me 9 vetë në fushën e lojës.

Në kohën kur rëndësi maksimale i jepet pragmatizmit dhe rezultateve afatshpejta, të qëndruarit besnik ndaj parimeve bio të futbollit siç bën Ange Postecoglou konsiderohet një virtyt i madh sportiv.


Top Channel

You may also like