Hoxhaj i bindur se vizat hiqen pas zgjedhjeve në Francë: Dialogu me Serbinë në qorrsokak

by admin
Spread the love

Dialogu është në një qorrsokak dhe është mjaft e rrezikshme për Kosovën
meqë në kontekstin ndërkombëtar do të ishte urgjente arritja e një marrëveshje
ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia
Online, ish-ministër i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, shtetndërtimi i Kosovës mund të përmbyllet vetëm përmes
anëtarësimit në OKB, prandaj ai thotë se Qeveria e Kosovës do të duhej ta
sjellë një platformë në Kuvend se çka mund të arrihet në dialog.

“Dialogu realisht ka hyrë në një qorrsokak sikurse e ka thënë edhe Josef  Borrell. Dhe unë mendoj që kjo është e rrezikshme
për Kosovën meqë në kontekstin ndërkombëtar në të cilin ne po jetojmë do të
ishte urgjente arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë jo për
interesa të Serbisë, por për interesin tonë për ta përmbyllur shtet ndërtimin e
Kosovës”.

“Shtetndërtimi i Kosovës mund të përmbyllet vetëm atëherë kur Kosova anëtarësohet
në OKB dhe në situatën aktuale Qeveria e Kosovës do të duhej ta sjellë një platformë
në Kuvend se çka mund të arrihet në dialog dhe dialogu duhet të jetë për njohje
të ndërsjellë dhe jo për tema teknike sikurse po ndodh ditëve të fundit në
Bruksel”.

Se kur do ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën, Hoxhaj thotë se sapo të
përfundojnë zgjedhjet në Francë, që do të mbahen në fund të muajit të ardhshëm,
duke shtuar se i mbetet ekzekutivit që të loboj te qendrat kryesore evropiane.

“Jam mëse i sigurt se sapo të përfundojnë zgjedhjet në Francë do të ndodh
një vendim pozitiv. Por Qeveria do të duhej të lëviz në qendrat kryesore të
Bashkimit Evropian qoftë në Berlin, qoftë në Paris qoftë në Vjenë por edhe në
Bruksel që të bisedojë për atë që kur do të kishte mundësi që një vendim të
merret prej Komisionit Evropian meqë Parlamenti Evropian ka vendosur shumë më
herët pozitivisht për Kosovën”.

Sipas deputetit të PDK-së,  çdo Qeveri
e përgjegjshme do të mund të siguronte njohje të reja Kosovës, tani kur Serbia
po izolohet ndërkombëtarisht.

Sipas tij, Qeveria në krye me Albin Kurtin, sipas tij ka hequr dorë nga
politika e jashtme.

“Njohja ndërkombëtare e Kosovës duhet të jetë prioritet. Anëtarësimi i
Kosovës në organizata ndërkombëtare duhet të jetë prioritet, vendosja e
ambasadave duhet të jetë prioritet por qeveria ka hequr dorë nga politika e
jashtme dhe ka hequr dorë për të lobuar për të rritur numrin e shteteve të
cilat duhet ta njihnin Kosovën. Jam e sigurt që çdo qeveri e përgjegjshme do të
mund t’ia siguronte Kosovës njohje të reja tani kur Serbia po izolohet
ndërkombëtarisht”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, foli edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë,
duke theksuar se deri më tash Qeveria i ka ikur një teme të tillë, raporton EO.

“Mendoj që kjo është një çështje që duhet ta trajtojë qeveria e Kosovës me
seriozitet. unë deri më tash kam parë qëndrime sa për të dhënë një artikulim të
qasjes në raport me mediet, por Qeveria e Kosovës duhet të shoh modalitete sesi
duhet të trajtohet kjo çështje. Deri më tash Qeveria i ka ikur një teme të
tillë dhe po bënë përpjekje që ta shtyjë një narracion, i cili ka përmbajtjet e
referendumit dhe pres nga Qeveria që të dalë me një qartësi të tillë”.

“Se çfarë qëndrimi ka pasur PDK-ja e kemi parë sa kemi qenë në Qeveri dhe sot nuk mendoj që për neve do të ishte politikisht korrekte që për shkak të asaj që jemi në opozitë papritmas të ndërtojmë një qëndrim, i cili do të ishte larg realiteti, por i takon Qeverisë së Kosovës që ata ta marrin vendimin dh eta thonë qëndrimin publikisht”, raporton Ekonomia Online.

You may also like