Holanda nuk gabon! “Tulipanët” mposhtin SHBA dhe kualifikohen në çerekfinale

by admin
Spread the love

Holanda është skuadra e parë që kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Botës, Katar 2022. Holandezët nuk gabojnë në sfidën përballë SHBA-ve, fitojnë 3-1 dhe vazhdojnë të besojnë tek një sukses në këtë Botëror.

Ndeshja është e bukur dhe me ritëm. Sinjalin e parë e japin amerikanët, që i afrohen golit me Pulisic, por portieri Noppert bën mrekullinë dhe ruan portën e tij të paprekur. Më pas janë holandezët ata që nuk gabojnë, Depay zhbllokon sfidën pas një asisti të dhënë nga Dumfries.

Amerikanët i afrohen golit të barazimit me Weah në fund të pjesës së parë, por në minutat shtesë të fraksionit të parë të lojës janë sërish holandezët që shënojnë golin e dytë me Blind (pas një aksioni shumë të ngjashëm me atë të golit të parë).

Amerikanët futen me energji të reja në pjesën e dytë dhe Ream ka një mundësi të artë për të rihapur ndeshjen, por goli do të vijë në minutën e 76-të me Wright, që arrin të mposhtë Noppert. Rihapet sfida, por është Dumfries ai që shënon menjëherë golin e tretë për “tulipanët” dhe shuan përfundimisht shpresat e amerikanëve për një rezultat pozitiv.

Rezultati nuk ndryshon në minutat e mbetura, Holanda fiton 3-1 dhe është çerekfinalistja e parë e Botërorit, Katar 2022. “Tulipanët” do të përballen me fituesin e sfidës Argjentinë-Australi në çerekfinale, ndërsa SHBA i thotë lamtumirë këtij Botërori. / Oversport.tv

Foto: FIFA World Cup Twitter

You may also like