Historike! Donald Trump i pari president para një çështje penale, të martën do dalë sërish para gjykatës

by admin
Spread the love

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është vetëdeklaruar i pafajshëm lidhur me 34 akuza për vepra penale për falsifikim të regjistrave biznesorë, në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut sot, 4 prill.

Më pas, Trump u largua nga salla e gjyqit. Ai nuk bëri asnjë koment dhe injoroi pyetjet e gazetarëve. Tani ai pritet të kthehet në shtëpinë e tij në Florida, ku pritet të flasë më vonë pasi nuk i është kërkuar të qëndrojë i heshtur lidhur me rastin.

Prokurori i rastit, Alvin Bragg, tha se Trump i ka falsifikuar vazhdimisht regjistrat biznesorë për të fshehur krimet e kryera si pjesë e “komplotit për të minuar integritetin e zgjedhjeve të 2016-ës”.

Ndërsa gjykatësi Juan Merchan bëri të ditur se seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më 4 dhjetor të këtij viti.

Para arrestimit Trump, i dërgoi një mesazh me anë të postës elektronike për të gjithë ndjekësit e tij, të titulluar “E-maili im i fundit para arrestimit”, ku ai u kërkoi përkrahësve të tij të ndihmojnë “në shpëtimin e Amerikës” duke bashkangjitur një link për mbledhje të fondeve.

Ai e quajti ditën e sotshme “një ditë tragjike për Republikën”, teksa shtoi se SHBA-ja po shndërrohet në një “vend marksist të botës së tretë”.

Trump, 76-vjeçar, është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me një çështje penale.

Ish-presidenti republikan, i cili ka mohuar akuzat të cilat i ka quajtur “persekutim politik” dhe ka parashikuar se kjo do t’i dëmtojë demokratët në zgjedhjet e vitit 2024. Avokatët e Trump kanë thënë se ish-presidenti “nuk ka kryer asnjë krim” dhe se ata “do ta luftojnë fuqishëm këtë ndjekje politike në gjykatë”.

Cilat janë akuzat e mësuara deri më tani ndaj Trump?

Stormy Daniels, aktorja e filmave për të rritur, ka rrëfyer në 2016 se kishte një lidhje jashtëmartesore me ish-Presidentin e Amerikës Donald Trump. Në atë kohë, avokati i Trump, Michael Cohen i pagoi 130,000 dollarë Daniels që mos të fliste, gjë e cila kjo është e paligjshme.

Teksa Trump i kaloi pagesën Cohen në llogarinë bankare, transferta u bë me shënimin ‘tarifë ligjore’, por prokurorët thonë se kjo do të thotë që Trump falsifikon të dhënat, që është një kundravajtje penale në Nju Jork.

Vetë Trump ka mohuar çdo akuzë dhe e ka konsideruar procesin një ‘gjueti shtrigash’.

 20:55 Dalin pamjet nga salla e gjyqit, Donald Trump: I pafajshëm për të 34 akuzat

Ish-presidenti Donald Trump u pa brenda gjykatës për herë të parë që nga arrestimi i tij zyrtar. Ai hyri brenda rreth 20 minuta pas prokurorit Alvin Bragg. Trump injoroi pyetjet nga mediat e mbledhura jashtë sallës së gjyqit, duke u drejtuar për t’u përballur me gjyqtarin në seancën me dyer të mbyllura. Ai u pa i ulur me ekipin e tij ligjor – Joe Tacopina, Susan Necheles dhe Todd Blanche – brenda sallës së gjyqit.

 20:46 Arrestimi i Trump, reagon Shtëpia e Bardhë: Nuk është kjo çështje fokusi i Presidentit, por populli amerikan!

Presidenti Joe Biden është plotësisht i vetëdijshëm për akuzën e paraardhësit të tij dhe “natyrisht” është duke u apdejtuar në kohë reale me zhvillimet, por Shtëpia e Bardhë thekson se kjo nuk është fokusi i tij i vetëm për këtë ditë. Përmes një deklarate për mediet, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre deklaroi se:  “Presidenti do të përqendrohet te populli amerikan siç bën çdo ditë. Kjo nuk është diçka që është në fokus për të”.

20:28 Trump u arrestua zyrtarisht, turma të mëdha mblidhen jashtë gjykatës: Persekutim politik


Ish-presidenti Donald Trump tani është dorëzuar tek autoritetet amerikane dhe është zyrtarisht i arrestuar në Nju Jork. Kjo është hera e parë në historinë e SHBA-së që një president aktual apo ish-president vendoset në këtë pozicion. Sidoqoftë, krahas republikanëve dhe familjes së tij, të cilët e konsiderojnë arrestimin e ish-Presidentit “persekutim politik”, përballë ambienteve të gjykatës në Manhattan janë mbledhur qindra protestues për të kundërshtuar vendimin.

 20:10 Bota sytë nga Donald Trump, çfarë po ndodh brenda gjykatës në Manhatan

Teksa e gjithë bota është me sytë nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, avokatja mbrojtëse Julie Rendelman ka përshkruar atë që po ndodh brenda Gjykatës në Manhatan. Ajo thotë se zyrtarët, shërbimi sekret dhe oficerët e informatorëve të ligjit do të “sigurohen që gjithçka të jetë e sigurt.

 19:59 U arrestua pak minuta më parë, Trump e dinte! Mesazhi që la në rrjetet sociale rrugës për në Gjykatë

Ish-presidenti i Amerikës, Donald Trump, është arrestuar pak minuta më parë. Nëse për një pjesë të mirë të opinionit publik ishte e papritur, vetë Trump ishte në dijeni të kësaj situate dhe kjo u vu re në përshëndetjen me grusht përballë kamerave, si për të përforcuar atë çka iu tha më herët mbështetësve të tij përmes emailit zyrtar “ne sot vajtojmë për humbjen e drejtësisë në Amerikë”.