Hiroshima tragjike, përvjetor me një film në sfond – Shqip

by admin
Spread the love

Japonia shënoi 78-vjetorin e bombardimeve atomike amerikane të Hiroshimës, gjatë së cilës kryebashkiaku i atyshwm bëri thirrje për heqjen e armëve bërthamore dhe e quajti idenë e liderëve të G7 për frikësimin bërthamor si “të çmendur”.

Të dielën, kambana e paqes ra në orën 08:15, në të njëjtën kohë kur u hodh bomba. Rreth 50,000 pjesëmarrës të ceremonisë, përfshirë të mbijetuarit, mbajtën një minutë heshtje.

“Udhëheqësit në mbarë botën duhet të përballen me realitetin se kërcënimet bërthamore të mbrojtura tani nga disa ligjvënës zbulojnë marrëzinë e teorisë së frikësimit bërthamor,” tha në ceremoni kryebashkiaku i Hiroshima-s, Kazumi Matsui.

Kryeministri Fumio Kishida tha se rruga drejt një bote pa armë bërthamore po bëhet më e pjerrët, pjesërisht për shkak të kërcënimeve bërthamore ruse, por se është edhe më e rëndësishme të rifitohet vullneti ndërkombëtar për të arritur këtë qëllim.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shprehu mbështetjen e tij.

“Udhëheqësit botërorë e kanë vizituar këtë qytet, kanë parë monumentet e tij, kanë folur me të mbijetuarit e tij dhe më pas kanë marrë guxim të ngrihen për çarmatimin bërthamor. Më shumë prej tyre duhet ta bëjnë këtë, pasi daullet e luftës bërthamore po bien përsëri”, tha ai.

Bota përsëri në frikë

Dita e përkujtimit të viktimave të sulmit të parë bërthamor në botë vjen në një kohë kur shumë kanë frikë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore në luftën e saj me Ukrainën.

Gjithashtu, vjen në një kohë kur filmi biografik “Oppenheimer”, i cili përshkruan krijimin e bombës atomike, po bëhet hit në kinematë amerikane, por edhe në pjesën tjetër të botës. Disa e kanë kritikuar filmin për injorimin e gjerë të shkatërrimit të Hiroshimës dhe Nagasakit. Data e publikimit të filmit në Japoni ende nuk është shpallur.

Në të njëjtën kohë, memet Barbenheimer, të krijuara nga fansat e filmit “Barbie”, i cili u publikua në të njëjtën ditë me “Oppenheimer”, dhe që shfaqin aktorët në rolet kryesore me imazhe të shpërthimeve bërthamore, po shkaktojnë polemika.

Hiroshima ishte në qendër të vëmendjes në maj, kur kryeministri japonez Fumio Kishida priti një takim të shtatë ekonomive kryesore të G7. Udhëheqësit e G7 shprehën më pas angazhimin e tyre për arritjen e çarmatimit, por thanë se armët bërthamore, për sa kohë që ekzistojnë, duhet të shërbejnë për të penguar dhe parandaluar luftën.

Bomba e hedhur në Hiroshima më 6 gusht vrau 80,000 njerëz menjëherë dhe rreth 70,000 të tjerë deri në fund të vitit. Bomba tjetër u hodh në Nagasaki më 9 gusht, duke vrarë 22,000 njerëz në çast, ndërsa 39,000 të tjerë vdiqën nga efektet e rrezatimit.

Japonia u dorëzua më 15 gusht. /tesheshi.com/

You may also like