Gucati e Haradinaj u dënuan edhe me nga 100 euro, ky është aktgjykimi i plotë (DOKUMENT)

by admin
Spread the love

Këtë të mërkurë, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka shqiptuar dënimin me 4 vjet e gjysmë burgim për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.

Dënimi, sipas kryetarit të këtij grupi, Charles Smith, u bë në emër të popullit të Kosovës, ndërsa bazë e këtij dënimi ishin akuzat me të cilat akuzoheshin Gucati e Haradinaj.

Trupi Gjykues i shpalli Gucatin e Haradinajn fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Këto janë shkelje  të Kodit Penal të Kosovës (KPK) dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar  (Ligji). Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm lidhur me hakmarrjen. Trupi Gjykues dënoi secilin prej  të akuzuarve me burgim katër vjet e gjysmë, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim dhe me gjobë  100 euro”, thuhet në Aktgjykimin e dërguar për media nga Dhomat e Specializuara, transmeton Klankosova.tv..

Gjatë shqiptimit të Aktgjykimit, Trupi Gjykues theksoi se kjo çështje ka të bëjë me administrimin e duhur të  drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e proceseve gjyqësore dhe sigurinë, mirëqenien dhe çlirimin nga frika të  qindra personave, të cilët janë paraqitur për të përmbushur detyrën e tyre qytetare si dëshmitarë.

“Trupi Gjykues konstatoi se në shtator 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj, në tri konferenca për shtyp, në më  shumë se njëzetë paraqitje në media të tjera dhe përmes postimeve në mediat sociale zbuluan informacion  konfidencial të hetimeve dhe punës së brendshme të Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS) dhe Zyrës së  Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ky ishte informacion i mbrojtur me ligj që përmbante emrat e qindra  dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm Të akuzuarit e zbuluan këtë informacion duke treguar  dokumentet që e përmbanin atë informacion, duke i lejuar të tjerët të këqyrnin, filmonin, fotografonin  kopjonin ose merrnin me vete dokumentet dhe duke përshkruar publikisht përmbajtjen e dokumenteve”.

“Krahas këtyre veprimeve, Trupi Gjykues konstatoi se të akuzuarit publikisht i quajtën dëshmitarët  “tradhtarë”, “spiunë”, “bashkëpunëtorë” dhe “shqipfolsa”. Të bëra në kontekstin e një atmosfere të  vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, Trupi Gjykues konstatoi se synimi i komenteve të të  akuzuarve ishte për t’i frikësuar dëshmitarët dhe dëshmitarët e mundshëm dhe rrjedhimisht për t’i bërë që  të ngurronin të jepnin informacion për hetimet e ZPS-së lidhur me ish-anëtarë të UÇK-në”.

“Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se “[s]jellja e të akuzuarve ishte mjeti që shërbente për një qëllim: për të  penguar hetimet dhe ndjekjet penale të efektshme të ish-anëtarëve të UÇK-së nga ZPS-ja”, thuhet në Aktgjykim, përcjell Klankosova.tv.

Përmbledhjen më të detajuar të Aktgjykimit mund ta gjeni në këtë link.

 

You may also like