ATHINË, 20 korrik /ATSH-ANA/ – Zjarret vazhduan të digjen gjatë natës dhe deri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në periferinë verilindore të Athinës, me zjarrfikësit dhe shërbimet e mbrojtjes civile, të angazhuara në një betejë të dëshpëruar për të kontrolluar flakët që ndryshonin shpesh intensitetin dhe drejtimin.
Zjarri që shpërtheu pasditen e së martës u përhap shumë shpejt nga mali i Pentelit në zonat përreth duke mbërritur në autostradën ”Attiki Odos”, me fronte të ndezura mëngjesin e sotëm në Palini, Anthusa, Penteli, Drafi dhe Jerakas.
Erërat vazhduan të ishin jashtëzakonisht të forta që kalonin 80 km/h, por avionët zjarrfikës u ngritën për të luftuar flakët sapo agoi.
Tre aeroplanë dhe pesë helikopterë iu bashkuan betejës, së bashku me 485 zjarrfikës, 120 makina zjarrfikëse dhe 28 ekuipazhe tokësore që operonin më poshtë, të ndihmuar nga zjarrfikës vullnetarë, cisterna të autoriteteve lokale dhe makineri të rënda.
Dronët pa pilot përdoren për të transmetuar imazhe të zjarrit.
Autoritetet thanë se nuk kishte asnjë problem me rrjedhje gazi natyror nga zjarri i Pentelit, por policia helene kreu 600 evakuime të qytetarëve në vende të sigurta dhe pesë mesazhe u dërguan gjatë natës përmes numrit të urgjencës 112 për të paralajmëruar qytetarët që të evakuojnë zonat përreth Pentelit, pjesët lindore të Jerakasit, Vula Pikermiut dhe Panorama Palinis, Palini, Nea Palini dhe për të shmangur përdorimin e ”Marathonos Avenue” nga autostrada ”Attiki Odos”, pranë Pikermit për shkak të zjarreve./ /os/