Gjyqësori dhe prokuroritë nuk zbatojnë Ligjin e Gjuhëve, Iseni: Nga gushti do të ngremë procedurë kundërvajtje

by admin
Spread the love

Kjo është vetëm një kumtesë e Këshillit Gjyqësor e cila është publikuar në ueb-faqen e këtij institucioni vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve duhet të jetë edhe në shqip.

Sa kaq e njëjta kumtesë, e pa përkthyer është vendosur edhe në seksionin e web-faqes në gjuhën shqipe.

Ndërkaq ueb faqja e Prokurorisë Themelore qëndron edhe më keq. Asnjë kumtesë nuk është e përkthyer në gjuhën shqipe.

E njëjta gjendje është edhe me gjykatat.

Dërguam pyetje te Këshilli gjyqësor se përse nuk e respektojnë në tërësi Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe të gjitha njoftimet të jenë edhe në shqip, nga atje nuk morëm përgjigje.

Edhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, ka konstatuar shkelje sa i përket përdorimit të shqipes në Këshillin gjyqësor. Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit tha se në periudhën në vijim presin të ketë përmirësim të gjendjes.

“Në Këshillin gjyqësor kemi bërë mbikëqyrje inspektuese, inspektorët kanë konstatuar gjendjen faktike ku ka lëshim të ligjit. Këshillit gjyqësor i është dhënë vërejtje për periudhë disa mujore që t’i eliminojnë vërejtjet që i ja dhënë nga Inspektorati dhe presim përgjigje nga Këshilli mbikëqyrës për të bërë mbikëqyrje kontrolluese”- deklaroi Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve.

Deri tani ky institucion thotë se janë fokusuar në ministri e drejtori e tani e tutje do të inspektohen edhe gjykatat dhe prokuroritë.

“Ka ministri të cilat e respektojnë në tërësi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, disa ministri iu është dhënë vërejtje, disa ministri siç e ceka më parë kërkojnë shtyrjen e afatit edhe se ato punojnë për implementimin e ligjit, por për arsye të volumit të madh të punës, nxjerrja e shumë dokumentacioneve nga ai institucion dhe numri shumë i vogël i përkthyesve e vonon pak procesin”- tha Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve.

Inspektorati deri tani nuk ka shqiptuar asnjë gjobë, por Iseni paralajmëron se që nga muaji gusht, institucionet që nuk zbatojnë vërejtjet e Inspektoratit do t’ju ngritet procedurë kundërvajtëse.

“Në përgjithësi në muajin gusht dhe shtator do të fokusohemi më tepër të mbikëqyrjet kontrolluese dhe atëherë do të ngremë procedurë për kundërvajtje për disa institucione të cilat shumë pak kanë vepruar në implementimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”- pohoi Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve.

Nga muaji i ardhshëm Inspektorati do të funksionojë me 8 inspektorë në nivel shteti, Iseni thotë se nuk janë të mjaftueshëm për shkak se në bazë të sistematizimit duhet të jenë të punësuar 32 inspektor me 3 njësi rajonale në Kërçovë, Tetovë dhe Kumanovë.

You may also like