Gjermania i jep leksione botës se si të kurseni energji

by admin
Spread the love

Gjermania i jep leksione botës, si të kurseni energji, Berlini le në errësirë 200 monumente kulturore

Ditën e djeshme Gjermania vendosi të mbyllë sistemin e ngrohjes në ndërtesat publike në qytetin e Hanoverit, në kuadër të kursimit të energjisë, pasi Rusia ka reduktuar furnizimin me gaz, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Në lidhje me këtë vendim të qeverisë gjermane, prestigjozja “Bild” shkruan se edhe Berlini ka ndërmarrë hapa për të kursyer energji. Mësohet se prej mbrëmjes së të mërkurës Berlini ka lënë në errësirë rreth 200 monumente historike kulturore.

“Në funksion të luftës në Ukrainë dhe kërcënimeve energjetike të Rusisë është jetike që ne të menaxhojmë konsumin tonë të energjisë me sa më shumë kujdes që të jetë e mundur”, tha deputetja e Berlinit përgjegjëse për Mjedisin, Bettina Jaras.

Ndërsa Europa vazhdon përpjekjet për grumbullimin e gazit natyror për dimrin e ardhshëm, Hanoveri u bë dje qyteti i parë i madh në vend që njoftoi masat për të kursyer energjinë, duke përfshirë ndërprerjen e furnizimit me ujë të ngrohtë për dushet në qendrat sportive, ndërtesat komunale dhe qendrat rekreative.

Përveç kësaj, Hanoveri ndaloi ndriçimin e ndërtesave publike dhe mbyll shatërvanët.

Rregulla do të ketë edhe për ngrohjen. Ndërtesat publike do të fikin ngrohjen nga prilli deri në fund të shtatorit dhe, në pjesën tjetër të vitit, do të funksionojnë me termostat në 20 gradë – megjithatë me disa përjashtime.

Hanoveri do të ndalojë gjithashtu kondicionerët portativë ose ngrohje portative.

Qeveria gjermane ka përgatitur edhe opinionin publik për mundësinë, e cila tashmë duket e sigurt për marrjen e masave për të kufizuar konsumin e gazit natyror dhe rritjen e ndjeshme të tarifave në tarifa.

You may also like