Gjermania do të dërgojë në Ukrainë tanket sovjetike të Greqisë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri të ditur sot se vendi i tij do të ndihmojë Ukrainën me tanket e periudhës sovjetike që disponon Greqia. Berlini do t’ia zëvendësojë Athinës tanket sovjetike me tanke të reja të prodhuara në Gjermani.

Sholz tha se ka folur me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis për një marrëveshje të tillë.

Berlini ka bërë një marrëveshje të ngjashme me një numër vendesh që kanë tanke të epokës sovjetike, të cilat mund të përdoren nga ushtarët ukrainas menjëherë pas stërvitjes.

Gjermania ka arritur marrëveshje të tilla me Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Poloninë, raporton BBC.

Gjermania po trajnon gjithashtu ushtarë ukrainas për armë të rënda moderne, të cilat më pas do t’i dorëzohen Ukrainës.

Ministrat gjermanë thonë se Berlini po dërgon shumë armë në Ukrainë, duke kundërshtuar përshtypjen që kanë vendet e tjera të cilat thonë se Gjermania nuk po bën mjaftueshëm. Por disa ministra dhe politikanë kryesorë brenda qeverisë pranojnë se dërgesat janë më të ngadalta dhe më të ndërlikuara nga sa pritej fillimisht. Ka një presion në rritje në Gjermani që dërgesat të përshpejtohen, të jenë më transparente dhe më të organizuara.

Ndërkohë, forcat ruse kanë marrë nën kontroll gjysmën e qytetit Sievierodonetsk në Ukrainën lindore.

“Qyteti po shkatërrohet në mënyrë të pamëshirshme bllok pas blloku,” tha kryebashkiaku Oleksandr Striuk për agjencinë Associated Press.

Ai tha se luftimet e ashpra në rrugët e qytetit vazhdojnë dhe bombardimet kërcënojnë jetën e rreth 13,000 civilëve që ende janë strehohen në qytetin e shkatërruar që para luftës kishte më shumë se 100,000 banorë.

Kryebashkiaku thotë se është e pamundur të përcaktohet me saktësi se sa viktima civile ka pasur për shkak të bombardimeve të pandërprera, por ai beson se më shumë se 1,500 banorë kanë vdekur për shkaqe të ndryshme që nga fillimi i agresionit rus në fund të shkurtit.

Përpjekjet për evakuim janë ndalur për shkak të bombardimeve.

Energjia elektrike në qytet është ndërprerë dhe njerëzit kanë nevojë për ujë, ushqim dhe ilaçe, tha kryebashkiaku.

Marrja nën kontroll e Sievierodonetskut është e rëndësishme për përpjekjet ruse për të marrë rajonin e Donbasit.

Separatistët e mbështetur nga Moska kishin nën kontroll një pjesë të territorit në rajon që para agresionit dhe kanë luftuar kundër trupave ukrainase prej tetë vjetësht.

Sievierodonetsku është në zonën e fundit që mbetet nën kontrollin e qeverisë ukrainase në rajonin e Luhanskut.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se situata në Donbas mbetet “jashtëzakonisht e vështirë” pasi Rusia po ushtron “fuqinë maksimale luftarake” të ushtrisë së saj në atë rajon.

You may also like