GJERMANI – Shërbimet sekrete mund të monitorojnë AfD-në

by admin
Spread the love

MYNIH, 15 shtator /ATSH-DPA/- Shërbimet sekrete në Bavari mund të monitorojnë në mënyrë legjitime partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe të informojnë publikun për aktivitetet e saj, vendosi sot një gjykatë në Mynih.

Vendimi përmbledhës nga Gjykata Administrative e Bavarisë erdhi rreth tre javë përpara zgjedhjeve në shtetin jugor më 8 tetor.

Shërbimi sekret bavarez, i njohur në Gjermani si Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës, mori vendimin në qershor të vitit të kaluar, për të monitoruar AfD-në në tërësi, duke përdorur burime publike dhe sekrete.

Ai e arsyetoi vendimin në bazë të nevojës për të konstatuar ndikimin e tendencave ekstremiste brenda partisë si dhe nevojën për të monitoruar drejtimin politik të partisë.

Dega bavareze e AfD-së ngriti një kërkesë urgjente ligjore kundër vendimit, që lejon autoritetet ta monitorojnë atë dhe të ofrojnë informacion për publikun, duke përmendur parimin e mundësive të barabarta për partitë politike.

Pasi gjykata e Mynihut refuzoi kërkesën urgjente më 17 prill, AfD apeloi. Tashmë edhe ankesa është refuzuar.

Në vendimin e saj, gjykata tha se kishte indikacione faktike që fushata e AfD-së në tërësi shfaqte aspekte antikushtetuese.

Ajo vuri në dukje veçanërisht anëtarët e AfD-së që i përkisnin një grupi të shpërbërë brenda partisë të njohur si fraksioni Fluegel (Wing).

Gjykata përmendi gjithashtu “fantazitë e përmbysjes” së qeverisë midis anëtarëve të degës bavareze të AfD.

Për më tepër, gjykata tha se ka indikacione të shumta se politika e përgjithshme e partisë cenon dinjitetin e njerëzve të besimit islam. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like