Gjermani, nuk ka strehim të mjatueshëm për refugjatët

by admin
Spread the love

Problemi i strehimit të refugjatëve dhe azilkërkuesve në Gjermani nuk po zgjidhet.

Herë pas here, bashkitë që kanë pak ose aspak hapësirë për të akomoduar më shumë azilkërkues dhe refugjatë lufte nga Ukraina bëjnë thirrje për ndihmë. Shembulli më i fundit është distrikti i Fuldas në landin Hessen. Qytetet dhe komunat janë  “në kufij të kapaciteteve” akomoduese, shkruante Këshilli bashkiak në mes të korrikut në  një letër drejtuar qeverisë së landit dhe qeverisë federale në Berlin.

“Ne kemi nevojë për një kufizim të fluksit,” shkruante kryetari i parlamentit të qarkut Bernd Woide (CDU). “Nuk mungojnë vetëm strehimoret, por edhe kapacitetet e tjera, si kopshtet, shkollat, kujdesi mjekësor dhe shumë fusha të tjera, janë gjithashtu të kufizuara.”

300 mijë azilkërkues priten në vitin 2023

Ndërsa numri i ukrainasve që vijnë në Gjermani vjen duke rënë, numri i azilkërkuesve po rritet. Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët numëroi më shumë se 162 000 kërkesa për azil nga janari deri në qershor 2023. Shumica e tyre vijnë nga Siria (rreth 44 000), pasuar nga Afganistani ( afro 28 000) dhe Turqia (rreth 19 000). Rreth 20 000 refugjatë të tjerë kanë ardhur nga vendet afrikane.

Për vitin 2023, Gjermania llogarit me rreth 300 000 azilkërkues, thotë Boris Kühn, ekspert migracioni në Universitetin e Hildesheimit. Ata shpërndahen në Gjermani sipas një çelësi të caktuar. Por shumica e strehimoreve janë të zëna dhe shpesh nuk ka vende të lira.

Refugjatë nga viti 2015 ende nëpër strehimore azilkërkuesish

Boris Kühn dhe kolegu i tij Julian Schlicht, koordinator i “Help for Refugees” në Tübingen, shpjegojnë arsyen në një studim mbi situatën e strehimit të refugjatëve: 25 për qind e refugjatëve të ardhur në vitet 2015/2016 jetojnë ende në strehimore refugjatësh. Sistemi i regjistrimit ecën shumë ngadalë. Veçanërisht në ato zona ku nuk ka shumë banesa në treg, është shumë e vështirë për refugjatët që të gjejnë një apartament.

Por ka edhe dallime rajonale. Kühn dhe Schlicht vërejnë se më të vështirë e kanë qytetet dhe komunat, në të cilat strukturat integruese janë zvogëluar pas fluksit të vitit 2015/16. Ato bashki që investuan më tej në trajtimin e refugjatëve, janë më të përgatitura për sfidën e re të vitit 2022.

Shumëçka varet edhe nga vullneti politik apo përparësitë e politikës. “Strehimi i refugjatëve është detyrë, por zbatimi i tij lë vend për manovrim brenda kuadrit të vetëqeverisjes lokale,” thuhet në studim.

Një nga qytetet ku situata është ndryshme është Düsseldorf. Në vitin 2022, 10 000 refugjatë ukrainas arritën në kryeqytetin e Renanisë Veriore – Vestfali (NRW) brenda një periudhe të shkurtër kohore. “Ishin po aq refugjatë sa në vitet 2015/2016 të marra së bashku”, thotë Miriam Koch, Këshilltare për Kulturë dhe Integrim. Strehimi i tyre ishte pak i vështirë, por jo e pamundur”.

Jo gjithçka shkoi siç duhet. “Por ne arritëm t’i riaktivizojmë strukturat e ngritura në vitin 2015.” Kjo përfshinte bashkëpunimin e agjencive të ndryshme “dhe përvojën se si qyteti mund të gjejë strehim”.

Më shumë fleksibilitet në strehim

Në Düsseldorf, bëhet menaxhimi i daljes nga strehimoret: që do të thotë se qyteti angazhohet në mënyrë proaktive që të gjejë apartamente me qira për refugjatët që kanë fituar status azilanti. Kjo përfshin edhe punën bindëse me qiradhënësit privatë për të pranuar një refugjat si qiramarrës. Kjo është shpesh e vështirë. Koch thotë se shumica pranojnë vetëm gra dhe fëmijë ukrainas. Në shumë raste, duhet bërë punë bindëse që “t’u hiqen frika dhe shqetësimet” dhe duhen ofruar mundësia e qirasë me provë.

Kështu për shembull, në Baden-Württemberg u bënë bashkë disa qytete për të gjetur banesa për refugjatët. Disa komuna madje paguajnë subvencione për rinovimin për t’i bërë të përdorshme banesat e lira, të tjera u ofrojnë pronarëve garanci për qiranë ose e përmbyllin kontratën e qirasë për disa vjet. Megjithatë, ka disa qytete, ku as menaxhimi i zhvendosjes nuk hyn në punë. Sepse ofertat e banesave janë shumë të pakta.

Çdo e dyta kërkesë për azil refuzohet

Gjithnjë e më shumë komuna po kërkojnë tani që t’u dërgohen vetëm refugjatët që kanë perspektivën për të qëndruar në Gjermani. Edhe qarku i Fuldas dëshiron ta arrijë këtë. Në rezolutën e miratuar nga këshilli i qarkut thuhet: “Azilkërkuesit dhe refugjatët e sapoardhur nga vendet e treta duhet në parim të qëndrojnë në qendrat qendrore të pritjes deri sa të përfundojnë ekzaminimet e para.” Administratori i distriktit Woide shton: “Përndryshe, përvoja ka treguar se zhvendosja nuk funksionon.”

Sipas statistikave të azilit të Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatë, në gjysmën e parë të vitit janë trajtuar rreth 133 000 kërkesa për azil. 48 për qind e tyre janë refuzuar për arsye thelbësore ose formale. Vetëm një në dy aplikantë rezulton me perspektivë për të qëndruar në Gjermani. /DW

 


Top Channel

You may also like