Gërvalla: Turqia është ndërmjetësuese neutrale në Ballkan

by admin
Spread the love

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Gërvalla, ka pritur në takim homologun e saj turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Ajo në një konferencë për medie tha se Turqia ka mbështetur Kosovën në momente të vështira por edhe vendimtare dhe për këtë tha se do të jenë gjithmonë mirënjohës.

Gërvalla shtoi se Turqia ka ofruar ndihmën e saj si ndërmjetësuese, pas agresionit rus në Ukrainë dhe se sipas saj, ndihmë ndërmjetësimi, ka ofruar edhe në Ballkan, siç tha ajo, ndërmjetësim neutral në mes të Serbisë edhe vendeve të tjera ballkanike.

“Pas agresioni rus në Ukrainë, Turqia ka ofruar ndihmën e saj si ndërmjetësuese, po ashtu si ndërmjetësuese neutrale në Ballkan, në mes të Serbisë e të tjerëve”, ka thënë Gërvalla.

Ajo tha se Kosova Rusinë e Serbinë i sheh si faktorë agresivë dhe destabilizues në rajon, njofton Klankosova.tv

“Pozicioni i Kosovës në këtë çështje është i qartë, Rusinë dhe Serbinë i shohim jo vetëm si faktorë agresivë por edhe destabilizues, për të gjithë rajonin tonë dhe shpresojmë që përpjekjet për ndërmjetësim të BE-së, të NATO-s e Turqisë, do të kontribuojnë që separatistëve serbë në Bosnjë t’u pamundësohet që nën hijen e agresionit rus në Ukrainë dhe me ndihmën e Rusisë, të destabilizojë Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ajo.

Gërvalla tha se është kënaqësi të presë një homolog që e njeh mirë historinë e Kosovës.

“Është kënaqësi të presësh një homolog, një mik të mirë të Kosovës, që e njeh mirë historinë e dhimbshme të shtypjes dhe gjenocidit në Kosovë dhe që në të gjitha lëvizjet e tij në rajon nuk e harron jo vetëm përvojën historike por edhe shumë të freskët të gjenocidit dhe luftës në rajon”.

Ajo tha se gjatë takimit me ministrin turk, nënshkruan marrëveshjen për rritjen e frekuencave të fluturimeve në mes të dy vendeve si dhe thellim të bashkëpunimit.

“Me ministrin biseduam rreth angazhimit të Turqisë në mbështetjen e dhënë në fushën e arsimit dhe dëshirojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim. I shpreha mirënjohjen qeverisë turke në fushën e shëndetësisë për dhënien e trajtimeve pa pagesë për pacientët nga Kosova, dhe për mundësitë e trajnimit të punonjësve shëndetësorë, jemi mirënjohës për bashkëpunimin në trajtimin e pandemisë COVID-19. Shpreha interesimin tonë për thellimin e bashkëpunimit, krijimin e mundësive për më shumë investime direkte turke në Kosovë, dhe përdorimin maksimal të potencialit të ofruar në kuadër të marrëveshjes së tregtisë së lirë që hyri në fuqi në vitin 2019. Është shumë e rëndësishme marrëveshja e nënshkruar sot në mes dy ministrive për rritjen e frekuencës së fluturimeve në mes të Kosovës dhe Turqisë”./Klankosova.tv

 

 

 

You may also like