“Gati të fitojmë gjithçka”, Inzagi nuk e nënvlerëson takimin me Benfikën: I detyrohemi shumë tifozëve tanë

by admin
Spread the love

Simone Inzagi do të bëjë një rrotacion të gjerë, duke nisur nga porta e deri në sulm, ndonëse kjo nuk do të thotë që përballë Benfikës nuk kërkon maksimumin, sot në mbrëmje në “Da Luz”.

“Me djemtë kam folur gjatë dhe ne jemi në Portugali për të luajtur një ndeshje të rëndësishme, pavarësisht se jemi të lumtur brenda vetes se tashmë jemi kualifikuar në 16 më të mirat e Championsit, dy ndeshje përpara fundit. Puna jonë nuk është ende e përfunduar dhe duam vendin e parë në grup sepse e dimë që në krye me ne është një ekip i rëndësishëm si Sociedad. Ne do të japim maksimumin. Jemi të fokusuar te Benfika dhe nuk po mendojmë për ndeshjen e radhës kundërv Sociedadit, për të bërë llogaritë me golavarazhin apo gjëra si këto. Benfica do të kërkojë të fitojë për të qëndruar në Ligën e Europës dhe do të jetë e vështirë. Për ne ishte e rëndësishme të kualifikoheshim dhe ia dolëm. Nëse arrijmë të përfundojmë të parët, aq më mirë. Në çdo rast, ndeshja e fundit në ‘San Siro’ do të jetë vendimtare pas dy javësh”.

Më pas Inzagi foli edhe për Sançezin: “Nesër (sot) mendoj se ai mund të luajë nga fillimi. Aleksis kishte një problem pas kombëtares, ai e trajtoi kyçin e këmbës për tri ditë dhe tani është rikuperuar. Mendoj se mund të fillojë nga minuta e parë: Ai shënoi një gol kundër Salzburgut dhe po stërvitet mirë pasi ka punuar vetëm në korrik dhe gusht. Ne jemi të lumtur me të dhe që e kemi në grup”.

KUJDES “SHQIPONJAT” – Inzagi tregon respekt të madh për kundërshtarin e sotëm dhe paralajmëron: “Ne po takohemi me ta për herë të katërt në gjashtë muaj dhe i njohim. Ata janë një ekip i shkëlqyer dhe këtu në shtëpi janë edhe më të fortë. Kam parë derbin e fundit të cilin e fituan 2-1 në shtesë dhe ne e dimë se çfarë mund të bëjnë. Ata kanë shumë alternativa dhe një skuadër shumë të kompletuar. Gjithashtu kam respekt për trajnerin e tyre që sezonin e kaluar vuri nën kontroll Juventusin dhe PSGnë, si dhe fituan kampionatin. Ata kanë pasur një rrugë të vështirë në Ligën e Kampionëve këtë sezon, por kanë ende për të luftuar”.

TITULLI APO EUROPA – Më pas lidhur me objektivat sezonalë, Simone Inzagi shton: “Ne jemi Interi dhe kemi objektivin të fitojmë çdo ndeshje, kështu që titull dhe Champions. Vitin e kaluar luajtëm 57 ndeshje nga 57, u kualifikuam në 1/8-at e Ligës së Kampionëve për të tretin sezon radhazi dhe në Botërorin e Klubeve për vitin 2025. Kemi arritur dy objektiva, por kemi një bazë të madhe tifozësh pas nesh dhe duam t’i japim kënaqësi dhe trofe njerëzve tanë”, përfundoi trajneri i Interit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

You may also like