Funksioni i nismave rajonale në fshehjen e krizës së brendshme politike në Shqipëri

by admin
Spread the love
Lulzim Hoxha

Teksa “Ballkani i Hapur” ishte një projekt ekonomik në nivel rajonal, Procesi i Berlinit përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet ekonomike ndërkombëtare, si dhe organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht se qëllimet janë të ngjashme, përfshirja dhe mjetet e realizimit të këtyre dy iniciativave janë krejtësisht të ndryshme.

Shkruan: Lulzim HOXHA

Kur Edi Rama e deklaroi fundin e iniciativës “Ballkani i Hapur”, ai u shpreh se ky projekt tashmë e përmbushi misionin e tij. Ishte sërish kryeministri i Shqipërisë, që pak kohë më parë, në bashkëpunim me Vuçiqin, shpalli promovimin e kësaj nisme si një përpjekje për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe për të tejkaluar tensionet e së shkuarës në rajonin e Ballkanit.

Në fakt, iniciativa “Ballkani i Hapur” u paraqit në vitin 2019 si një nismë e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ta thelluar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet këtyre tri vendeve, si dhe për të përfshirë në të ardhmen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në një fazë tejet kritike sa i takon anëtarësimit në BE. Pas katër vjetësh, asnjë vend tjetër i rajonit nuk e mirëpriti këtë nismë. Pavarësisht pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës në takimet e përbashkëta, të organizuara në kuadër të kësaj iniciative, pozicioni skeptik i këtyre vendeve kundrejt “Ballkanit të Hapur”, ashtu si edhe mospërfshirja e Kosovës, kanë sjellë shumë rezerva mbi suksesin e kësaj nisme. Tanimë që, më së paku për Shqipërinë, “Ballkani i Hapur” është pjesë e së shkuarës (së bashku me mini-shengenin), duket edhe më qartë se rezultatet e këtij procesi ishin më tepër pjesë e një strategjie politike sesa një përpjekje për të ndërmarrë masa konkrete bashkëpunimi ekonomik për vendet e rajonit. Sikurse shprehet studiuesi serb Relja Radoviq: “’Ballkani i Hapur’ ngërthente një kontradiktë të pastër midis projekteve që thuhej se do të realizonte – si për shembull krijimin e një tregu ekonomik të përbashkët – dhe përpjekjeve të pakta për t’i implementuar këto projekte’.” Nga ana e tij, Rama nuk e konsideroi “Ballkanin e Hapur” si një nismë që nuk arriti t’i realizojë qëllimet e deklaruara. Përkundrazi, e cilësoi si një urë lidhëse me Procesin e Berlinit, ndërsa sipas këtij kuptimi “Ballkani i Hapur” i përmbushi qëllimet e tij. Vitin e kaluar, kur iu propozua pjesëmarrja në “Ballkanin e Hapur”, Albin Kurti deklaroi se “Shteti i Kosovës e ka si prioritet të vetin Procesin e Berlinit, si një nismë të rëndësishme në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian”. Tanimë, me deklaratat e fundit të Ramës, të krijohet përshtypja se e vetmja mënyrë për ta avancuar Procesin e Berlinit ishte pjesëmarrja në projektet e përbashkëta të Ballkanit të Hapur. Mirëpo kjo nuk lidhet aspak me arsyet e themelimit të Procesit të Berlinit. Teksa “Ballkani i Hapur” ishte një projekt ekonomik në nivel rajonal, Procesi i Berlinit përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet ekonomike ndërkombëtare, si dhe organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht se qëllimet janë të ngjashme, përfshirja dhe mjetet e realizimit të këtyre dy iniciativave janë krejtësisht të ndryshme. Kjo qe ndër arsyet kryesore se pse “Ballkani i Hapur” është akuzuar vazhdimisht si një nismë nga ku përfiton më tepër Serbia sesa rajoni. Prapëseprapë, deklarata e Ramës, se fokusi i Shqipërisë nga këtej e tutje do të jetë te Procesi i Berlinit, nuk nënkupton detyrimisht që nisma e “Ballkanit të Hapur” nuk do të ekzistojë më, por vetëm që Shqipëria nuk do të marrë pjesë në marrëveshjet e ardhshme në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Sikurse shkruan Radoviqi: “Fakti se, sipas Ramës, tashmë misioni i Ballkanit të Hapur u përmbush, kjo nuk do të thotë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut do ta konsiderojnë si të përfunduar misionin e kësaj nisme”. Në fakt, gjatë takimit me Ramën më 7 korrik, Vuçiqi shprehej se “Ballkani i Hapur” e ka përmirësuar ndjeshëm tregtinë ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, duke deklaruar se: “Nëse shikoni vetëm shifrat dhe nivelin e shkëmbimeve tregtare që nga viti 2019 deri në fund të vitit 2020, do të shihni se sa dukshëm është rritur bashkëpunimi mes vendeve tona. Kjo përkon me objektivat e Ballkanit të Hapur, por edhe haptazi i përmirëson marrëdhëniet mes vendeve të rajonit”. Rama dikur ishte ndër përkrahësit më entuziast të kësaj nisme, madje ka sugjeruar edhe zgjerimin e “Ballkanit të Hapur” në Turqi, Greqi, Itali dhe Hungari. Por, pavarësisht këtyre deklaratave spektakolare, në fund të ditës “Ballkani i Hapur” nuk arriti të përfshijë as gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pak ditë pas deklaratës së Ramës mbi përmbushjen e misionit të Ballkanit të Hapur, Vuçiqi shprehej i habitur nga qëndrimi i kryeministrit shqiptar, duke deklaruar se: “Nuk më besohet që Rama ta ketë thënë këtë. ‘Ballkani i Hapur’ është një nismë autonome nga vendet e Ballkanit dhe nismat autonome janë gjithnjë më të rëndësishme sesa ato që vijnë nga jashtë rajonit.” Po të merren parasysh reagimet e zyrtarëve të lartë të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, të krijohet përshtypja se nga tri vendet themeluese, “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin e tij vetëm për Ramën. Por, si mund të lexohet ky ndryshim i befasishëm i qëndrimit të kryeministrit shqiptar në raport me Ballkanin e Hapur?

Shumëkush mendon se ndryshimi i qasjes së Ramës lidhet me ngjarjet e muajve të fundit në Kosovë dhe ashpërsimin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, në të vërtetë, entuziazmi i dikurshëm i Ramës mbi “Ballkanin e Hapur” dhe këmbëngulja e tij për ta përfshirë Kosovën në këtë projekt ka ndodhur në kulmin e kontestit të Kosovës me Serbinë mbi çështjen e Asociacionit. Qëndrimet politike të Ramës në kohë kanë treguar vazhdimisht se për të është më e rëndësishme krijimi i imazhit të liderit rajonal në sytë e perëndimorëve sesa shqetësimi mbi Kosovën. Në ligjërimet e tij mbi konfliktin e Serbisë me Kosovën ai është shfaqur përherë në formën e një ndërmjetësi duke i akuzuar vazhdimisht të dy palët sikur kinse kanë mbetur në “armiqësitë e dikurshme” dhe nuk po arrijnë t’i tejkalojnë “inatet e vjetra”.

Përtej fasadës së liderit rajonal, të cilin gjatë viteve të fundit Rama është përpjekur ta kurojë me një përkujdes të veçantë në mënyrë që t’i bëjë “të padukshme” skandalet e vazhdueshme të qeverisjes së tij në Shqipëri, kohët e fundit duket se imazhi abstrakt i liderit rajonal nuk po arrin dot t’i mbajë nën kontroll problemet konkrete në politikën e brendshme. Pak ditë më parë, BE-ja njoftoi pezullimin e fondeve për bujqësinë në Shqipëri, kjo pas një hetimi mbi dyshimet për korrupsion gjatë zbatimit nga Ministria e Bujqësisë. Gjithashtu, në seancën e parlamentare në Shqipëri që u mbajt para disa javësh, u vendos heqja e imunitetit të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe procedimin penal të tij nga SPAK-u mbi dosjen e inceneratorëve. Aktualisht, ish zëvendësi i Edi Ramës vijon të jetë në arrati. Këto ngjarje sigurisht që ndikojnë në uljen e besueshmërisë së ndërkombëtarëve mbi rolin e Ramës si faktor stabiliteti rajonal. Madje, me skandalet e vazhdueshme korruptive që po dalin rishtazi në lidhje me qeverinë e tij, po bëhet gjithnjë e më e dukshme, tashmë edhe në sytë e ndërkombëtarëve, se çfarë përfaqëson në të vërtetë Rama kur shfaqet në rolin e ndërmjetësit për të shtensionuar konfliktet rajonale. Në këto kushte, organizimi i Samitit të Berlinit në Tiranë më 16 tetorin e ardhshëm shfaqet si “një ishull magjik” i së ardhmes, që mund të eklipsojë çfarëdolloj problematike aktuale në qeverinë e tij, si dhe ta pezullojë tërësisht llogaridhënien ndaj elektoratit mbi skandalet e korrupsionit dhe hetimet e njëpasnjëshme ndaj ish ministrave të qeverisë. Kësisoj, nisur nga sa u tha më lart, duket qartazi se aktualisht për Ramën roli i liderit rajonal ka prioritet mbi rolin e kryeministrit të Shqipërisë, ashtu sikurse projektimi i së ardhmes abstrakte të integrimit në BE i është mbivendosur përgjegjësisë së një lideri për të qeverisur të tashmen e një vendi që jo vetëm është shumë larg procesit të anëtarësimit, por qëndron i kapur në një strukturë korruptive, të cilën edhe vetë qeveria po bën sikur nuk ekziston. /revistashenja

You may also like