FSHF takim me klubet, kërkohet ligji sponsorizimit dhe të ardhura nga taksat e basteve për sportin

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi sot një tryezë me temë “Sponsorizim/Formalizim/Zhvillim. Futbolli shqiptar përballë sfidave të së ardhmes”, ku morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, përfaqësues të Ligës Profesioniste të Futbollit, presidentët e klubeve të kategorisë “Abissnet Superiore” dhe ata të Kategorisë së Parë.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte për të diskutuar mënyrat se si mund të incentivohet futbolli dhe propozimet që duhet t’i bëjë komunitetit i futbollit për ndryshime ligjore qeverisë dhe parlamentit. Në hapje të takimit, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u shpreh se Federata ka angazhuar disa grupe pune për përmirësimin e rregulloreve, përmirësimin e skemave të kampionateve të moshave në mënyrë që të sigurohet masiviteti i futbollit dhe sa më shumë cilësi.

“Kjo tryezë është në një moment të përshtatshëm pas një sezoni futbollistik kombëtar, pas shumë aktiviteteve pozitive, pas finales së UEFA Conference League në Tiranë dhe pas ndeshjeve të Kombëtares që nuk ishin shumë me shije pozitive, por urojmë që të kemi shije pozitive në shtator.

Duke qenë në fund të një edicioni futbollistik dhe kemi kohë për të përgatitur edicionin tjetër, Federata e Futbollit ka angazhuar disa grupe pune për përmirësimin e punëve të saj, qoftë organizative, përmirësimin dhe përditësimin e rregulloreve të aktiviteteve dhe të gjitha rregulloreve të tjera të brendshme për përmirësimin e skemave të kampionateve të moshave, për të qenë ato të balancuara për të pasur edhe futboll elitar, edhe për të siguruar masivitetin e futbollit.

Të gjithë këto grupe punë kanë të përfshirë edhe nga ju, madje disa drejtohen nga drejtues klubesh dhe pa dyshim që në fillim të edicionit ne do të mblidhemi për t’i miratuar ato”, – tha Presidenti Duka, duke shtuar ndryshimi i ligjit për sponsorizimin mund të jetë një ndihmesë shumë e madhe për zhvillimin e futbollit. Një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit të futbollit gjatë dy viteve të fundit në përpjekje të për të marrë shembujt më të mirë në Europë e për t’i implementuar në legjislacionin shqiptar.

“Qëllimi kryesor i takimit është se në ç’lloj mënyrash mund të incentivohet futbolli. Dikur jemi mbledhur në një tavolinë vetëm me Kategorinë Superiore me iniciativë të Ligës Profesioniste të futbollit, ku u bënë disa kërkesa për ndryshime ligjore për të krijuar një shtrat ligjor të përshtatshëm për zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Jemi dëshmitarë të vështirësive që kanë  sidomos klubet e vogla dhe qytetet e vogla për organizimin e futbollit, vështirësitë financiare, qoftë për mbështetjen e tij me infrastrukturë, apo edhe me xhiro të përditshme.

Ajo çka ne kemi propozuar dy vite më parë nuk është vënë në zbatim. Skema që ne kemi propozuar është një ndihmesë e madhe për ta bërë futbollin një industri që më vonë të prodhojë dhe t’i kthejë këto investime. Ligji i sponsorizimeve apo buxhetet që mund të hidhen në futboll nuk janë financime apo donacione të pakthyeshme, por janë investime që futbolli do t’i kthejë nëse vërtetë do të krijojë një industri që të prodhojë vetë”, – theksoi Duka.

Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së u ndal edhe në një propozim tjetër të rëndësishëm që mund të jetë një shtysë e madhe për zhvillimin e futbollit, duke i propozuar publikisht qeverisë dhe parlamentit hapjen e basteve sportive dhe kalimin e një pjese të ardhurash nga ky aktivitet në mbështetje të sportit. Sipas tij, fondet që mund të gjenerohen nga ky akyivitet, i naluar tashmë në Shqipëri, mund të kthehen në një burim të rëndësishëm financimi për akademitë, klubet, por edhe infrastrukturën sportive.

“Përveç ligjit të sponsorizimit, e dyta, e thënë edhe nga organizata të tjera sportive në vend, jo vetëm nga ne, bastet sportive në Shqipëri janë ndaluar me ligj, por realisht bastet sportive janë ndaluar vetëm për të arkëtuar buxheti i shtetit, por ato ekzistojnë në çdo pikë të vendit.

Kështu që të bëjmë një kërkesë qoftë për ligjin e sponsorizimeve dhe bastet sportive, parlamentit dhe qeverisë shqiptare që t’i rikthejë ato dhe 70% e të ardhurave nga ky aktivitet t’i kalojë sportit dhe një pjesë kryesore futbollit. Ky është një burim i rëndësishëm financimi për akademitë, klubet, por edhe infrastrukturën sportive. Nëse edhe ju jeni dakord, t’i drejtojmë në emër të komunitetit të futbollit një kërkesë qeverisë dhe parlamentit shqiptar për ndryshimet ligjore për ligjin e sponsorizimeve dhe basteve sportive dhe për ndonjë gjë tjetër që ju mendoni”, – deklaroi Presidenti Duka.

Më tej, u kalua në diskutime teksa të gjithë drejtuesit e klubeve i miratuan propozimet e hedhura në tryezë dhe u ra dakord që të përpilohet një draft me ndryshime konkrete ligjore, ku çdokush mund të japë idetë e veta e më pas ky draft t’i dërgohet për shqyrtim qeverisë dhe parlamentit shqiptar. / Oversport.tv

Foto: Fshf.org

You may also like