FRANCË – Macron: Të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjska të dalin para drejtësisë

by admin
Spread the love

TIRANË, 9 prill /ATSH/-  Është e rëndësishme që Serbia të vazhdojë të konkretizojë zgjedhjen e saj, duke harmonizuar pikëpamjet e saj me ato evropiane, dhe në këtë kuptim ju kujtoj takimin në Tiranë dhe takimin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, por ka edhe shumë pika të tjera – ndër të cilat është liberalizimi i mediave – që janë të rëndësishme në rrugën evropiane”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në prag të takimit dypalësh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Presidenti i Serbisë kundërshtoi pretendimet e Macron se si Beogradi ashtu edhe Prishtina “bënë diçka”, duke thënë se autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë.

“Mos dyshoni në synimin e Evropës për t’ju mirëpritur në gjirin e saj”, tha Macron duke  theksuar se Franca do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e marra nga Marrëveshja e Brukselit e një viti më parë.

Macron, në një fjalim të përbashkët me Vuçiç në Pallatin Elysee, tha se rregullsia e kontakteve dëshmon për lidhjet dypalëshe dhe rëndësinë që ai i kushton marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Francës.

Kreu i shtetit francez iu referua edhe çështjes së Kosovës, duke shtuar se është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit, gjithçka që përmban marrëveshja e Brukselit e arritur një vit më parë, duhet të përmbushet.

“Franca do të bëjë gjithçka për të siguruar që detyrimet e marra nga ajo marrëveshje të përmbushen, që çdo hap të përmbushet. Kjo është ajo për të cilën do të flasim, pse të gjithë këta hapa janë të një rëndësie thelbësore,” shtoi Macron.

Ai theksoi se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjska të dalin para drejtësisë, si dhe se në anën tjetër është e nevojshme të tejkalohen tensionet e shkaktuara nga vendimet e autoriteteve të Kosovës lidhur me komunat me shumicë serbe.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kushtet e atyre zotimeve, unë i mirëpres angazhimet tuaja, por gjithashtu dua që autoritetet e Prishtinës të nderojnë pjesën e tyre dhe që zgjedhjet të organizohen me legjitimitet demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë e arritjes së një kompromisi, por shpresoj që liderët të kenë vizionin dhe forcën për të këmbëngulur dhe për të kontribuar për stabilitetin në rajon”, tha Macron.

Ai tha se vlerëson angazhimin e Vuçiç për një Bosnjë-Hercegovinë të bashkuar, duke përcjellë gatishmërinë e Evropës për të ofruar të gjithë mbështetjen për tejkalimin e konflikteve të së kaluarës. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like