Franca nuk gabon dhe shkon sërish në finale, nuk ka mrekulli tjetër nga Maroku

by admin
Spread the love

Argjentinë-Francë do të jetë finalja e madhe e Kupës së Botës, Katar 2022. Francezët kanë mposhtur 2-0 Marokun në gjysmëfinale dhe falë këtij suksesi shkojnë në finalen e Botërorit për të dytin edicion radhazi. “Gjelat” shënojnë nga një gol për çdo pjesë. Hernandez zhbllokon shumë shpejt ndeshjen, ndërsa Kolo Muani shënon golin e dytë që shuan përfundimisht ëndrrat e Marokut.

Pjesa e parë është e bukur dhe me ritëm. Franca zhbllokon menjëherë ndeshjen me Hernandez, ndërsa pak minuta më vonë Giroud godet shtyllën. Maroku nuk dorëzohet dhe në fund të pjesës së parë El Yamiq është I pafat pasi shtylla I mohon golin.

Afrikanët dominojnë 20 minuta e para të pjesës së dytë, vënë në vështirësi Francën dhe I afrohen golit të barazimit. Por në momentin më të mirë të Marokut, Deshamps bën një lëvizje të goditur. Tekniku hedh në fushë Kolo Muani dhe sulmuesi shënon gol në prekjen e parë të topit. Ky gol vulos fatin e kësaj sfide.

Franca shkon në finale dhe përballë Argjentinës do të synojë të mbrojë titullin e fituar 4 vite më parë në Rusi. Përfundon në gjysmëfinale përralla e bukur e Marokut, që shkroi historinë në Katar 2022. /Oversport.tv

 

You may also like