FOKUS – Zbulohet misteri i biodiversitetit global

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 26 janar /ATSH-TPS/ – Në një studim novator, shkencëtarët izraelitë kanë kryer sondazhin më gjithëpërfshirës deri më tani të pasurisë së specieve të vertebrorëve tokësorë.

Gjetjet e tyre shpresojnë të ofrojnë informacion më të mirë për përpjekjet e ruajtjes në mbarë botën, duke hedhur dritë të re mbi pyetjen e vjetër se ”pse rajonet tropikale mburren me biodiversitetin më të lartë në nivel global”.

Të udhëhequr nga studenti i doktoraturës Tal Raz dhe profesori Shai Meiri i Universitetit të Tel Avivit dhe profesori Uri Roll i Universitetit Ben-Gurion në Negev, studiuesit dhanë konfirmim të mëtejshëm se ”rajonet tropikale pranë Ekuatorit shërbejnë si qendra të biodiversitetit të lartë për vertebrorët tokësorë”.

Megjithatë, studimi i tyre zbuloi gjithashtu nuanca intriguese në marrëdhëniet midis klimës, topografisë dhe pasurisë së specieve.

”Ne jetojmë në një epokë krize të biodiversitetit. Nëse tendencat vazhdojnë ashtu siç janë, shumë nga bimët dhe kafshët që ndajnë Tokën me ne nuk do të jenë më të pranishme deri në fund të shekullit të 21-të për shkak të shkatërrimit të habitatit, ndryshimit të klimës dhe efekteve të tjera njerëzore”, theksoi Roll.

”Një kuptim më i mirë se ku gjendet biodiversiteti dhe pse e gjejmë atë atje është kritike për përpjekjet tona për ta ruajtur atë. Për më tepër, puna si kjo nxjerr në pah se si jeta në Tokë është një fenomen vërtet i mrekullueshëm dhe duhet të shërbejë si një thirrje për veprim për të gjithë për ta mbrojtur atë”, shqoi ai.

Pas analizimit të të dhënave nga më shumë se 5 000 lloje amfibësh, 9 600 lloje zogjsh, 5 000 lloje gjitarësh dhe 8 900 lloje zvarranikësh, një nga zbulimet kryesore ishte se ”rritja e reshjeve lidhej me një pasuri më të madhe speciesh për zogjtë amfibët dhe gjitarët, pra një model ndryshe”.

Pavarësisht nga reshjet, më shumë zvarranikë gjenden në rajone më të ngrohta, duke sfiduar supozimet e mëparshme rreth ndikimit universal të reshjeve në biodiversitet.

Zvarranikët, me përshtatjet e tyre unike, tregojnë një model të veçantë në pasurinë e specieve.

”Zvarranikët mund të bëjnë pa shumë pak ujë, sepse metabolizmi i tyre është shumë më i ngadalshëm se ai i shpendëve dhe gjitarëve dhe sepse, ndryshe nga amfibët, ata kanë mekanizma shumë efikasë për të parandaluar humbjen e ujit. Por zvarranikët janë shumë të ndjeshëm ndaj temperaturave dhe nuk mund të funksionojnë lehtësisht në rajone të ftohta. Prandaj, ne shohim një numër relativisht të madh zvarranikësh në shkretëtirat anembanë botës, ku gjitarët, zogjtë dhe mbi të gjitha amfibët janë të paktë”, theksojnë studiuesit.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se klima dhe topografia luajnë një rol kritik në formësimin e ekosistemeve, me një ndikim më të theksuar në pasurinë e specieve në rajonet e karakterizuara nga diversiteti mjedisor.

Në Afrikë, për shembull, ku temperaturat janë vazhdimisht të larta, ndryshueshmëria e reshjeve bëhet një faktor vendimtar në përcaktimin e numrit të specieve.

Në të kundërt, në Euroazi, temperatura dhe reshjet tregojnë diversitet të lartë, duke ndikuar në pasurinë e specieve të vertebrorëve tokësorë./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like