FOKUS – Xi: Bota po përballet me sfida të papara që prej një shekulli

by admin
Spread the love

PEKIN, 16 tetor /ATSH-DPA/ – Kohë të vështira janë përpara, paralajmëroi presidenti kinez, Xi Jinping ndërsa hapi sot kongresin e radhës të Partisë Komuniste Kineze.

Në një fjalim kryesor drejtuar rreth 2 300 delegatëve në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, presidenti paralajmëroi për rreziqet e mundshme dhe bëri thirrje që Kina të përgatitet për skenarë më të këqij.

“Pra, përshtatuni dhe jini gati për t’i bërë ballë erërave të forta, ujërave të rrëmbyeshëm dhe madje edhe stuhive të rrezikshme”, tha Xi.

Xi bëri thirrje që vendi të ndjekë me vendosmëri udhëheqjen e partisë së tij në mënyrë që të përtërijë kombin kinez dhe të zgjerojë socializmin me karakteristika kineze.

”Pesë vitet e ardhshme janë vendimtare”, tha Xi.

Udhëheqësi kinez paralajmëroi edhe për rreziqe dhe sfida të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Ai foli gjithashtu për ndryshime globale që nuk janë parë që prej një shekulli.

Ai vlerësoi gjithashtu politikën ”zero Covid-19”, e cila sipas tij ”solli arritje të jashtëzakonshme si në luftën kundër përhapjes së virusit ashtu edhe në drejtim të zhvillimit ekonomik”.

Ndërsa pjesa tjetër e botës përpiqet të jetojë me virusin, Kina po i qëndron objektivit të saj të tolerancës zero.

Dhjetëra miliona kinezë janë aktualisht të prekur plotësisht ose pjesërisht nga bllokimet.

Ai gjithashtu përsëriti politikën e kahershme kineze se Tajvani është pjesë e Kinës dhe vuri në dukje se forca ushtarake mbetet ende një opsion.

”Ribashkimi i plotë i atdheut duhet të arrihet dhe mund të arrihet patjetër”, tha ai në kongres.

Fokusi i kongresit të partisë, i cili zhvillohet çdo pesë vjet, është zgjerimi i pushtetit të Xi, ndërsa ai kërkon të sigurojë një mandat tjetër si sekretar i përgjithshëm i partisë.

Delegatët, të cilët thuajse kurrë nuk kundërshtojnë Byronë Politike të Partisë Komuniste, pritet të përfshijnë ideologjinë personale të Xi në kushtetutën e partisë dhe të zgjedhin një komitet të ri qendror.

Pas diskutimeve njëjavore, kreu i partisë pritet të konfirmohet për një mandat të tretë pesëvjeçar të paprecedentë, në një seancë plenare të Komitetit të ri Qendror.

69-vjeçari po krijon një precedent duke shpërfillur kufijtë e mandatit, ndërkohë që rregullat e moshës dhe kufijtë e mandatit do të zbatohen për të gjithë anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, organi suprem i politikëbërjes.

Në mars 2023 do të zgjidhet një kryeministër i ri dhe do të formohet një qeveri e re./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like