FOKUS – Turqia: Sa më shpejt të jetë e mundur një armëpushim ruso-ukrainas

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 11 tetor /ATSH-DPA/-Turqia ka bërë thirrje për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur, duke sugjeruar se lufta do të hyjë në një fazë të rrezikshme pasi të dy palët po largohen nga një zgjidhje diplomatike.

“Armëpushimi duhet të vendoset sa më shpejt të jetë e mundur. Sa më shpejt aq më mirë për të dy vendet, për të gjithë ne”, deklaroi sot ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu në një intervistë televizive.

“Turqia është e shqetësuar pasi sa më shumë të zgjasë lufta, aq më keq dhe më e ndërlikuar do të bëhet situata”, tha Çavusoglu.

“Ankaraja kërkon një armëpushim të zbatueshëm dhe paqe të drejtë, të bazuar në integritetin territorial të Ukrainës përpara se humbjet e të dyja palëve të shumohen edhe më shumë gjatë dimrit të ardhshëm”, shtoi ai.

Çavusoglu u kërkoi fuqive perëndimore të marrin përgjegjësinë dhe të jenë të gatshme të diskutojnë sanksionet ndaj Moskës.

Turqia, një anëtare e NATO-s, është pozicionuar si ndërmjetëse midis Ukrainës dhe Rusisë që kur Moska pushtoi fqinjin e saj, në muajin shkurt.

Ankaraja ka kritikuar Moskën, por ajo ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore.

Turqia priti negociatat e paqes në fillim të këtij viti dhe së bashku me OKB-në, ndihmoi në rifillimin e eksporteve të grurit nga portet ukrainase.

Deklarata e Çavusoglu vjen menjëherë pas një njoftimi se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka planifikuar të zhvillojë një takim me homologun e tij rus, Vladimir Putin, këtë javë në Kazakistan, Astana.//a.i/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like