FOKUS – Rusia: Faza e parë e luftës në Ukrainë përfundoi, fokusi vetëm në Donbas

by admin
Spread the love

MOSKE, 26 mars /ATSH-DPA/ – Një zyrtar i lartë rus deklaroi se “faza e parë e operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë ka përfunduar” dhe se ”forcat tani do të fokusohen në çlirimin e rajonit lindor të Donbasit”.

Komentet nga Sergei Rudskoi, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, u panë si një sinjal se pas një muaji luftë, se Kremlini mund të zvogëlojë ambiciet e tij.

“Në përgjithësi, detyrat themelore të fazës së parë të operacionit janë përmbushur”, tha Rudskoi, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

“Potenciali luftarak i Forcave të Armatosura të Ukrainës është reduktuar ndjeshëm, gjë që lejon, e theksoj edhe një herë këtë, që të përqendrohen përpjekjet thelbësore në arritjen e qëllimit kryesor – çlirimin e Donbasit”, theksoi ai.

Ekspertët ushtarakë perëndimorë thonë se pushtimi i Rusisë – i cili filloi më 24 shkurt me sulme nga veriu, jugu dhe lindja – ka ngecur për ditë të tëra dhe se forcat e saj nuk kanë bërë shumë përparim në përpjekjet e tyre për të pushtuar qytetet kryesore si Kievi, Kharkivi dhe Mykolaivi.

Nëse zbatohet, njoftimi i Rudskoi do të nënkuptojë se Rusia tani do të fokusohet kryesisht në dy zonat lindore që janë pretenduar nga separatistët e mbështetur nga Moska për gati tetë vjet: Luhansk dhe Donetsk, të njohura si Donbas.

Rudskoi pohoi se 93% e rajonit të Luhanskut dhe 54% e rajonit të Donetsk nuk janë më nën kontrollin e Ukrainës.

”Forcat e armatosura ukrainase kane humbur një të katërtën e fillimisht pothuajse 60 000 ushtarëve të tyre në zonë”, pretendoi ai.

Rudskoi nuk tha se sa faza operative janë parashikuar.

“Operacioni special ushtarak do të vazhdojë derisa të përmbushen plotësisht detyrat e vendosura nga presidenti Vladimir Putin”, tha ai.

”Beteja do të vazhdojë për qytetin port strategjik Mariupol, skena e disa prej shkatërrimeve më të këqija të luftës”, tha Rudskoi.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm tha dje se 1 351 trupa ruse kanë vdekur dhe 3 825 të tjerë janë plagosur deri më tani në Ukrainë, ku rezistenca e ashpër nga ushtarët dhe luftëtarët joprofesionistë kanë zhgënjyer shpresat e Moskës për një fitore të shpejtë.

Shifrat janë numri i parë zyrtar i viktimave të lëshuara nga Moska që nga fillimi i marsit, kur numri i të vdekurve rusë u dha si 498.

Pretendimi i fundit nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur dhe nuk duket se përfshin separatistët e mbështetur nga Moska.

Analistët besojnë se ushtria ruse ka humbur në realitet mijëra trupa në konfliktin njëmujor.

Një zyrtar i lartë i NATO-s i tha ”Wall Street Journal” të enjten se aleanca perëndimore vlerëson se ”midis 7 000 dhe 15 000 ushtarë rusë janë vrarë”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like